Ballina Bota

BM – Johnson: Fitorja e Putinit në Ukrainë, një katastrofë

LONDËR, 19 qershor /ATSH-DPA/- Kryeministri britanik Boris Johnson tha se Perëndimi duhet të vazhdojë të mbështesë ukrainasit ndërsa ata luftojne për të rimarrë territorin e pushtuar nga Rusia, duke thënë se do të ishte një katastrofë nëse presidenti rus Vladimir Putin mund të pretendonte fitoren.

Pas një vizite të papritur në Kiev, kryeministri Johnson paralajmëroi se Ukraina nuk duhet të nxitet për të pranuar një “paqe të keqe”, e cila do të ishte thjesht preludi i një ofensive të përtërirë ruse.

Johnson mbrojti gjithashtu vendimin e tij për t’u tërhequr nga një konferencë e konservatorëve veriorë të premten, në mënyrë që të mund të takohej me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Johnson tha se ishte e rëndësishme të demonstrohej mbështetja e Britanisë së Madhe në një kohë kur ukrainasit po vuanin tmerrësisht përballë ofensivës së vazhdueshme ruse, në Donbas.

“Mendoj se është shumë e rëndësishme të shkosh në Ukrainë në një kohë veçanërisht kritike. Shqetësimi jonë është se lodhja e Ukrainës ka filluar të shfaqet në mbarë botën”, tha ai.

“Është shumë e rëndësishme të tregojmë se jemi pranë tyre për një kohë të gjatë dhe po u japim qëndrueshmërinë strategjike që u nevojitet”.

Në bisedimet e tij me presidentin Zelensky, Johnson tha se Britania e Madhe ishte e gatshme të trajnonte dhjetëra mijëra trupa ukrainase ndërsa ata vazhdonin të luftonin kundër rusëve. //a.i/

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprak​Kurti homazhe te memoriali “Heroinat”: Çmimi më i madh dhe i padrejtë që kemi paguar 
Artikulli tjetërVeliaj: Në kryeqytet mbi 70 palestra sportive