TIRANË, 18 qershor/ATSH/ Si sot më 18 qershor 1904, u nda nga jeta Sami Frashëri, intelektuali, gazetari, dramaturgu dhe një ndër ideologët kryesorë të Rilindjes Kombëtare.
Ishte mendimtari më i shquar i nacionalizmit shqiptar. Sami Frashëri drejtoi revistat e para në gjuhën shqipe ‘’Drita’’ dhe ‘’Dituria’’ në Stamboll. Nga tetori i vitit 1879 drejtoi “Shoqërinë e të shtypurit shkronjat shqip”. Ai është autor i mbi 50 veprave në gjuhën shqipe, turke dhe arabe, ku mund të përmendim: Drama “Besa” (1874), Abetare e gjuhës shqipe (1886), Kamus al Alam, enciklopedia turke (1889–1896), Shkronjtore e gjuhës shqipe (1886).
Sami Frashëri është autor edhe i veprës “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet”, vepër e cila shtjellon idetë mbi çështjen kombëtare, u botua në Bukuresht në vitin 1899 pa emrin e tij. Kjo vepër u bë manifesti politik i lëvizjes kombëtare.
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave publikoi sot fotografinë e Sami Frashërit dhe një nga veprat e tij e vitit 1886, e cila ruhet në Bibliotekën e Arkivit Qendror Shtetëror.
/k.s/j.p/






















