TIRANË, 17 qershor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha reagoi sot për rritjen e çmimit të naftës në 265 lekë për litër.
“Çmimi i naftës shënon sot një tjetër rekord. 265 lekë për litër do të paguajnë shqiptarët duke nisur prej ditës së sotme. Çmenduri, abuzim, vjedhje”, u shpreh Berisha nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale.
“Me naftën po bëhej një abuzim i tejskajshëm në vend. Edhe pa krijimin e bordeve situata ishte alarmante, por u zhyt edhe më thellë që në momentin e krijimit të bordeve të vjedhjes”, theksoi Berisha.
“Çmimi i naftës në rajon ka një diference të madhe me Shqipërinë, e faji këtu është kryekëput i qeverisë dhe Edi Ramës. Masa të menjëhershme duhen ndërmarrë, ose çmenduria e këtij njeriu do të dëmtojë ekonominë e çdo qytetari shqiptar”, theksoi më tej Berisha.
Bordi i Transparencës i mbledhur sot vendosi çmimet e reja të shitjes së karburanteve me pakicë dhe shumicë për tregun vendas.
Këto çmime reflektojnë ndryshimet që janë shfaqur në tregjet ndërkombëtare.
Bordi i Transparencës vendosi që çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gasoil i standardit SSH EN 590 të jetë 265 lekë/litër, ndërsa i shitjes me shumicë 253 lekë/litër.
Po ashtu, çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN do të jetë 241 lekë/litër, ndërsa i shitjes me shumicë 229 lekë/litër.
Sipas vendimit të Bordit, çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gaz, do të jetë 86 lekë/litër me pakicë dhe i shitjes me shumicë 74 lekë/litër për automjetet.
/j.p/r.e/























