TIRANË 16 qershor /ATSH-I.Vata/ Kryetari i PD-së, Sali Berisha ka marrë sot pjesë në Forumin Global të IX në Baku, Azerbajxhan, “Sfidat e rendit botëror”.
Në një prononcim për mediet, Berisha theksoi se ky forum është një mundësi e mirë për qëndrimet e Partisë Demokratike për zhvillimet në vend, rajon dhe Evropë.
“Ju përshëndes nga Baku ku kam ardhur i ftuar nga bordi drejtues i Forumit Global të IX për të marrë pjesë në punimet e këtij Forumi i cili këtë vit ka si axhendë: “Sfidat e rendit botëror” Forumi organizohet nga Qendra Ndërkombëtare “Nizami Ganjavi”. Në punimet e Forumit marrin pjesë dhjetëra Presidente, kryeministra, ministra të jashtëm dhe qindra personalitete politike nga Evropa dhe të gjithë kontinentet e tjerë. Punimet e forumit i çeli Presidenti i Azerbajxhanit Ilham Alyiev. Ky forum është një mundësi e veçantë për t’u paraqitur miqve të mijë, personaliteteve të pranishëm, publikut, dhe medieve qëndrimet e Partisë Demokratike për zhvillimet në vend, në rajon dhe në Evropë”, shprehet Berisha.























