TIRANË, 15 qershor/ATSH/ Në galerinë FAB pranë Fakultetit të Arteve të Bukura është çelur ekspozita e Petraq Papës, artist i cili aktivitetin e tij e ka shtrirë në fushën e filatelisë, numizmatikës e bankënotave.
Ekspozita është emërtuar “ACTA URBANA” dhe i sjell publikut artdashës veprat më të mira që vetë artisti ka përzgjedhur për këtë event.
Një ekspozitë unike në llojin e saj, që prezanton punën e bërë prej vitesh, në dizajnimin e pullave të postës, monedhave dhe kartëmonedha, të cilat prej disa vitesh mbajnë firmën e artistit Petraq Papa.
Disa nga krijimet që bien në sy, në këtë ekspozitë janë realizimet nga vizita e Papa Françeskut, shenjtërimi i Nënë Terezës si dhe portretet dhe realizimet e disa prej personaliteteve të rëndësishme.
Ekspozita është kuruar nga Najada Hamza dhe ndahet në tre seksione, ku më me peshë sipas vetë artistit, është filatelia.
Një pjesë tjetër është e përbërë nga monedha e kartëmonedha origjinale dhe pjesën tjetër të ekspozitës e zënë kartëmonedha e numizmatika të projektuara me teknologjinë e hologrameve.
/r.e/



































