Ballina Bota

SOFJE – Bullgaria e interesuar për gazin e Azerbajxhanit

SOFJE, 14 qershor /ATSH-BTA/- Kryeministri Kiril Petkov tha se do të udhëtojë në Baku të Azerbajxhanit këtë javë për të konfirmuar sasitë e gazit azerbajxhanas që do të dërgohen në Bullgari.

Duke folur me gazetarët në qytetin e Veliko Tarnovo, Petkov tha se ai shpresonte që interkonektori me Greqinë, i cili do të transmetojë 1 miliard metra kub gaz azerbajxhanas në vit, të jetë funksional në korrik.

“Ne po përpiqemi të bëjmë një përzierje midis gazit të lëngshëm dhe gazit azerbajxhanas në mënyrë që çmimi mesatar i dërgesës të jetë më i mirë se ai i kompanisë së “Gazprom”, për t’u siguruar që ekonomia bullgare të jetë konkurruese dhe e larmishme”, tha ai.

Lidhur me situatën politike në Bullgari, kryeministri tha se pret që qeveria të vazhdojë të punojë dhe të jetë e qëndrueshme pavarësisht largimit të koalicionit “Ka një popull të tillë” (TISP).

“Nëse nuk miratojmë 22 ligje deri në fund të vitit, ne do të humbasim fondet evropiane me vlerë 20 miliardë leva për ekonominë bullgare”, theksoi Petkov duke iu referuar rishikimit të buxhetit të shtetit 2022 dhe paketës së ligjeve të nevojshme për fillimin e zbatimit të Planit Kombëtar të Rimëkëmbjes dhe Rezistencës. //a.i/

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakGjiknuri: Toleranca dhe bashkëjetesa fetare, pasuri kombëtare që duhen promovuar
Artikulli tjetërZhupa: Harta e re e gjyqësorit nuk duhet miratuar, rrit kostot e qytetarëve