Ballina Aktualitet

Shitja e të dhënave të numrave telefonikë, Komisioneri: Do ndërmarrim hetim administrativ

TIRANË, 13 qershor /ATSH-I.Vata/ Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale ka reaguar sot në lidhje me shitjen e të dhënave të numrave telefonikë.

Në një deklaratë për mediet, Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, deklaron se si autoriteti mbikëqyrës i legjislacionit për mbrojtjen e të dhënave personale, vlerëson me seriozitet çdo rast të cenimit/shkeljes të kësaj të drejte dhe lirie themelore të njeriut.

“Zyra e Komisionerit është vënë në dijeni nga informacionet e publikuara në media, për shitjen në internet të një baze të dhënash në përmbajtje të të cilës ka gjeneralitete, numra telefoni dhe vendin e punës për 3 milionë qytetarë. Në mbështetje të nenit 35 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe në përmbushje të detyrimeve të përcaktuara në ligjin nr. 9887/2008 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, i ndryshuar, Zyra e Komisionerit do të ndërmarrë një hetim administrativ, si dhe do të kërkojë bashkëpunimin e çdo institucioni përgjegjës për qartësimin e rrethanave të çështjes. Duke vlerësuar rolin e medies për ekspozimin e fenomeneve negative, Zyra e Komisionerit u bën thirrje të gjitha organeve që ushtrojnë veprimtarinë në këtë sektor (audio/vizive, të shkruara, online) që të tregohen të vetëdijshme për detyrimin e respektimit të kësaj të drejte individuale”, thuhet në deklaratë.

Komisioneri shton se “ushtrimi i të drejtës së lirisë së shprehjes nuk është i pakufizuar dhe në çdo rast, realizohet në mënyrë të balancuar dhe proporcionale me të drejtat dhe liritë e tjera themelore të sanksionuara në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, apo në aktet ndërkombëtare ku vendi ynë është palë (Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut, Konventa 108 “Për mbrojtjen e individëve nga përpunimi automatik i të dhënave personale” të Këshillit të Evropës, etj.).

“Interesi më i lartë publik” ka përparësi mbi çdo përpjekje për ta kthyer këtë situatë në një lojë shumë të rrezikshme për cenimin e privatësisë dhe të dhënave personale të qytetarëve. Nga ana tjetër, opinioni publik duhet të tregoj kujdes të shtuar dhe të jetë i ndërgjegjësuar për të refuzuar përfshirjen në përdorimin/përhapjen e paligjshme të kësaj baze të dhënash nëpërmjet çdo mjeti e forme të komunikimit masiv”, theksohet në deklaratë.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBashkia Kurbin aksion pastrimi pas pelegrinazhit në Kishën e Shën Ndout
Artikulli tjetërMarketimi dhe shitja e fondeve të investimit të licencuara në BE, çfarë parashikon rregullorja e agjentit