TIRANË, 13 qershor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, qeveria po përgatit një fazë tjetër për të çliruar administratën nga pesha e procesit të tenderave.
Në fjalën e tij në Konferencën Kombëtare të Antikorrupsionit, duke folur për tenderat, Rama u shpreh se, “është një transformim i paimagjinueshëm nëse nisemi nga ku ka filluar kjo punë. Dhe në raportin që ne kemi përgatitur, i cili është vetëm raport faktik, nuk ka asnjë interpretim, nuk ka asnjë subjektivitet, ka vetëm fakte. Flitet qartë për se si kemi lëvizur në drejtimin e duhur edhe në këtë aspekt”.
“Por edhe këtu kemi prapë probleme, se nëse do thoshim se tenderat në Shqipëri kanë arritur transparencën dhe nivelin e drejtësisë që meritojnë të gjithë operatorët, atëherë ne duhet të ishim sot, jo kandidatë për të çelur negociatat me BE-në, por duhet të ishim sot në këmbë që të gjithë për t’u bërë anëtarë të BE. Nuk jemi akoma aty”, tha Rama.
Prandaj, shtoi kreu i qeverisë, “po përgatisim një fazë tjetër për të çliruar administratën nga pesha e madhe e këtij procesi, e procesit të kontraktimit të fondeve publike përmes tenderave, për të përfshirë ekspertizën e jashtme, dhe pse jo, edhe kompani ndërkombëtare, në mënyrë që administrata të bëjë administratën, ministritë të bëjnë ministritë dhe procesin e tenderimit ta bëjnë struktura, të cilat kanë një pavarësi shumë më të madhe dhe një profesionalizëm shumë më të lartë”.
“Sepse një nga problemet tona kryesore nuk është thjesht korrupsioni apo përzierja me qëllimin e devijimit të ligjit për përfitim, por është edhe paaftësia për të ndërtuar procese të cilat janë deri në fund profesionale, transparente, cilësore dhe të drejta. Në këtë aspekt kemi vërtet shumë punë për të bërë”, tha Rama.
/j.p/r.e/






















