TIRANË, 10 qershor/ATSH/ Një konferencë dyditore mbi reformën në administratën publike (RAP), integritetin institucional, llogaridhënien dhe besimin e publikut në institucionet shtetërore, u mbajt në Tiranë në datat 7 dhe 8 qershor 2022.
Konferenca mblodhi bashkë në diskutim zyrtarë të qeverive dhe përfaqësues të shoqërisë civile nga i gjithë Ballkani Perëndimor.
Konferenca rajonale e titulluar “Nxitja e reformave të qëndrueshme dhe me integritet në administratat publike të Ballkanit Perëndimor”, u organizua nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM, Albania).
Dita e parë e konferencës i dedikohej monitorimit të reformës në administratën publike.
Konferenca u hap me fjalën e Sotiraq Hronit, drejtor ekzekutiv i IDM-së, Oriana Arapi, drejtoreshë e përgjithshme në Kryeministrinë e Shqipërisë, Florian Hauser, DG Near nga Komisioni Evropian, Gregor Virant, kreu i programit SIGMA-OECD dhe Keida Meta, përgjegjëse sektori nga Departamenti i Administratës Publike.
“Qeveritë kanë nevojë të kenë njerëz profesionistë që punojnë në shërbimin civil, dhe duhet të sigurohen që karriera e nëpunësve civilë të jetë tërheqëse për qytetarët”, u shpreh Florian Hauser.
“Nëse ne nuk ia dalim dhe nëse ne nuk ofrojmë shërbime për qytetarët dhe bizneset, atëherë puna jonë është e pavlefshme. Sa më mirë të punojë administrata publike, aq më i zhvilluar do të jetë shteti”, shtoi ai.
Zyrtarët e qeverisë së Shqipërisë nënvizuan se digjitalizimi i shërbimeve ka qenë prioriteti kryesor i qeverisë shqiptare dhe se është bërë shumë progres në këtë drejtim.
Përfaqësuesit nga shoqëria civile nga i gjithë rajoni rikujtuan qeveritë e vendeve të Ballkanit Perëndimor se pa një pjesëmarrje kuptimplote të shoqërisë civile në monitorimin e RAP-së, hartimin dhe koordinimin politikave të reformës në administratën publike, nuk mund të ketë një administratë publike efiçente.
Më tutje, pjesëmarrësit folën për rrezikun e asocimit të reformës në administratën publike vetëm me procesin e integrimit në BE, duke theksuar se nxitësi kryesor e parësor i reformave duhet të jenë nevojat e qytetarëve për një administratë funksionale, profesionale dhe me integritet, dhe jo veç përmbushja teknike e kritereve të integrimit të BE-së. Nga këtu rrjedh edhe rëndësia themelore e monitorimit të zbatimit të reformës në administratën publike sipas sektorëve të ndryshme të politikave publike, që është një thellim në monitorim dhe i shërben tutje përmirësimit të ofrimit të shërbimeve publike ndaj qytetarëve.
Dita e dytë e konferencës iu dedikua integritetit të institucioneve dhe administratës publike.
Konferenca u hap nga Gjergji Vurmo, drejtor programi, IDM Albania, Adea Pirdeni, zv.ministre e Drejtësisë, Petra Burcher, kreu i Bashkëpunimit për Zhvillim në Ambasadën suedeze në Shqipëri.
Pjesëmarrësit ndanë përvojat e tyre mbi zbatimin e metodologjisë së Vlerësimit të Riskut të Integritetit në institucionet qendrore të Shqipërisë. Ata u thelluan se pse është e nevojshme të ketë plane integriteti dhe kode etike në institucionet publike dhe pse i duhet kushtuar rëndësi lidershipit administrativ, dhe jo vetëm lidershipit politik nëpër institucione.
Adea Pirdeni shpjegoi se si qeveria, mundësoi eliminimin e korrupsionit të vogël në sportele përmes digjitalizimit të shërbimeve publike, teksa Petra Burcher nënvizoi se integriteti i administratës ndërton besim tek publiku, dhe se besimi është thelbi i një shteti që funksionon mirë.
Përfaqësuesit e shoqërisë civile nga vendi dhe rajoni dhanë përvojat dhe perspektivat e tyre për forcimin e integritetit në administratat publike të Ballkanit Perëndimor, sfidat e ndeshura dhe rolin aktiv të shoqërisë civile në këtë proces themelor.
Konferenca u organizua në kuadër të projektit rajonal “Fuqizimi i Shoqërisë Civile të Ballkanit Perëndimor për një Administratë Publike të Reformuar – WeBER 2.0” dhe projektit “Forcimi i integritetit për përmirësimin e shërbimeve publike”.
Projekti WeBER 2.0 zbatohet nga rrjeti Think for Europe (TEN) dhe financohet nga Bashkimi Evropian dhe donatorë të tjerë. Projekti “Forcimi i integritetit për përmirësimin e shërbimeve publike” zbatohet nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim dhe financohet nga Agjencia Suedeze për Bashkëveprim dhe Zhvillim Ndërkombëtar (SIDA).
/m.m/r.e/























