Ballina Bota

FOKUS – Osetia e Jugut anulon referendumin për bashkimin me Rusinë

MOSKË, 31 maj /ATSH-DPA/ – Republika separatiste e Osetisë së Jugut anuloi një referendum të planifikuar për bashkimin me Rusinë, sipas një dekreti.

Referendumi u thirr nga ish-lideri i rajonit, Anatoli Bibilov, i cili propozoi masën e diskutueshme për të siguruar rizgjedhjen e tij.

Megjithatë, Bibilov humbi zgjedhjet presidenciale të rajonit në fillim të majit nga rivali Alan Gagloev.

Gagloev ishte kritik ndaj referendumit, duke e quajtur iniciativën të parakohshme, pavarësisht se shprehu mbështetjen e tij për pranimin përfundimtar të Osetisë së Jugut në Rusi.

Që kur fitoi zgjedhjet ”de facto” të Osetisë së Jugut, Gagloev ka sinjalizuar synimin e tij për t’u konsultuar me Moskën për të arritur integrimin e rajonit me Rusinë dhe ka njoftuar synimin e tij për të udhëtuar në Moskë në të ardhmen e afërt.

Ndërkohë, dekreti i Bibilovit është anuluar.

Rajoni i Osetisë së Jugut, i cili ka vetëm 50 000 banorë, u shkëput nga Gjeorgjia në fillim të viteve 1990, pas një lufte të përgjakshme civile.

Në vitin 2008, pas një lufte të shkurtër me Gjeorgjinë, Rusia njohu pavarësinë e Osetisë së Jugut dhe Abkhazisë, një republikë tjetër separatiste që është nominalisht pjesë e Gjeorgjisë./  /os/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakStudentë shqiptarë dhe serbë, çmim të parë në festivalin rajonal të gazetarisë
Artikulli tjetërBujqësia, kontribuese kryesore në ekonomi dhe punësim