Ballina Bota

FOKUS – WEF: Plan Marshall për Ukrainën

KIEV, 23 maj /ATSH-UKRINFORM/ – Presidenti i Forumit Ekonomik Botëror (WEF), Borge Brende i kërkoi komunitetit ndërkombëtar të miratojë një Plan Marshall për Ukrainën, shkruan gazeta gjermane ”Süddeutsche Zeitung”.

“Edhe pa një marrëveshje paqeje, e cila nuk ka gjasa për momentin, ne duhet të fillojmë punën për rindërtimin, të paktën në territoret nën kontrollin e Ukrainës. Ne kemi nevojë për një Plan Marshall për Ukrainën”, theksoi Brende.

Kryetari i WEF-it e bëri të qartë se këto janë investime mbi infrastrukturën, energjinë elektrike, shkollat, rrugët dhe urat.

Brende tha se ka në plan të parashtrojë kërkesën për një plan të tillë në Takimin Vjetor të Forumit Ekonomik Botëror në Davos, i cili fillon të hënën.

”Ne do të bashkojmë gjithashtu drejtues biznesesh nën sloganin ‘Menaxherët e Përgjithshëm për Ukrainën’, ku pritet që sektori privat duhet të luajë një rol të rëndësishëm në rindërtimin e vendit”, shtoi ai.

Rreth 2 500 pjesëmarrës nga politika, biznesi dhe shoqëria do të diskutojnë çështje të ngutshme ndërkombëtare, përfshirë ato që lidhen me luftën në Ukrainë, në një takim katërditor në alpet zvicerane.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy do të flasë gjithashtu me pjesëmarrësit e forumit përmes lidhjes video.

Pas Luftës së Dytë Botërore, SHBA investuan miliarda dollarë në rindërtimin e Evropës Perëndimore.

Plani Marshall mban emrin e ish-sekretarit amerikan të Shtetit, George C. Marshall./ /os/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakÇuçi para finales se Conference League: Kemi marrë të gjitha masat
Artikulli tjetërRama-Dendias: Bisedë për çështje me interes që bashkojnë popujt tanë