TIRANË, 21 maj/ATSH – I. Vata/ Pika e Llogoras, një nga vendet më të bukura me pamje madhështore që shërben po ashtu për nisjen e parashutave është pastruar tërësisht.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro postoi video dhe pamje se si ishte dhe sesi është shndërruar sot.
“Në pikën panoramike të Llogorasë që shërben po ashtu për nisjen e parashutave është pastruar gjithçka dhe janë hequr vjetërsirat që shëmtonin zonën. Muret u lyen, koshat u vunë. Vetë e kemi në dorë që t’i japim përparësi estetikës dhe jo dëshirës për të shgarravitur aty ku sapo pastruam e për të hedhur mbetjet kuturu”, shprehet ajo.
Kumbaro i bën apel qytetarëve që vizitojnë jugun të mos zhgaravisi dhe të mos hedhin mbeturina, por të bëjnë vetëm foto.
“Tani të ka lezet shpirti të bësh fotografi e të shplodhesh në majë të Llogorasë ku është pastruar zona dhe janë fshirë gjithë shkrimet e pakuptimta që shëmtonin pamjen. E vetmja kërkesë për ju që do të vizitoni jugun: asnjë shkarravitje, asnjë mbeturinë të hedhur në tokë. Vetëm foto për kujtime të bukura”, shprehet Kumbaro.
/a.a/






















