Ballina Ekonomi

Kumbaro: Punime intensive për rikualifikimin e parkut ujor në Drilon

TIRANË, 10 maj/ATSH/ Në Drilon, Pogradec, një nga mrekullitë që natyra ka krijuar buzë liqenit të Ohrit, ka nisur puna intensive për rikualifikimin e parkut ujor.

Si pjesë e zonave të mbrojtura, çdo ndërhyrje do të jetë në përputhje me ruajtjen e mjedisit, siç janë argjinaturat prej degëve të shelgut, sipas vizionit të zhvillimit të qëndrueshëm, duke rritur njëherazi potencialin turistik të gjithë zonës.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro inspektoi sot punimet që po kryhen në këtë park, që tërheq mijëra vizitorë gjatë gjithë stinëve të vitit.

Ky projekt lejon që vizitorët të mos shëtisin vetëm në pedonalen e Drilonit, por përmes kalimeve kryesisht këmbësore, të shkohet deri tek burimet e Drilonit dhe në Tushemisht.

Përfaqësuesi i Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF), Bledi Hoxha tha se “një nga gjërat më kryesore që ka projekti i shton hapësirë fluksit të vizitorëve. Nëse sot vizitorët shohin vetëm pedonalen dhe vijën tek kjo pjesë e parkut ne duam që të shkojmë deri tek burimet e Drilonit, tek pjesa e Tushemishtit dhe kodrat dhe këto janë të harmonizuara me njëra-tjetrën”.

Sipas tij, kalimet për makinat do të jenë shumë të kufizuara.

“Ne po ndërtojmë 3 parkime të mëdha me kapacitet me 600 makina. Kush vjen e parkon makinën dhe akseson të gjithë zonën, rreth 170 ha pa makinë. Zona do aksesohet me biçikletë, me varkë, mund të jenë disa mjete jo motorike, elektrike që kanë shpejtësi të kufizuar, që janë miqësore me mjedisin”, shtoi Hoxha.

Përfaqësuesi i AADF- së u shpreh se “e gjithë zona është konceptuar me 15 nënprojekte, të cilat lidhen me njëra tjetrën. Në këtë fazë që jemi AADF ka marrë përsipër të bëjë 7 prej tyre. Pra 170 ha janë ndarë në 15 nënprojekte, ku futet ndërtimi i shëtitores, ndërhyrja në parkun e Drilonit që shkon deri në fund, parkime, një qendër vizitoresh disa rrugë aksesi, ndërhyrja në fshatin Tushemisht dhe lidhja që kanë me njëra-tjetrën”.

Ai bëri të ditur se kemi bërë lidhje me ura në disa vende, që vizitorët të kenë variacion që të qarkullojnë gjatë gjithë zonës.

Ministrja Kumbaro kërkoi që të marrë një informacion për subjektet që janë totalisht informale.

“Duke qenë se janë në zonë të mbrojtur ne do të japim opinionin si Agjenci kombëtare e zonave të mbrojtura ku nuk lejohen ndërtime të pakoordinuar, pa kontrata, pa leje dhe me projekte të pa miratuara nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit. Ne jemi shumë të vendosur që ndërtimet pa leje që bien ndesh me vijimin e zbatimin e projekteve të mos jenë pjesë e parkut. Ne nuk pengojmë zhvillimin e bizneseve të subjekteve, por duhet të bëhen në përputhje me planin, me ligjin, me leje, kontrata e projekte të kujdesshme”, nënvizoi Kumbaro.

Ministrja Kumbaro u shpreh se “harxhojmë miliona lekë për të bërë argjinaturat që të jenë miqësore me mjedisin dhe nuk mund të lejojmë themele me beton në mes të parkut”.

Drilon-Tushemisht është në një hapësirë e vogël gjeografike ku ndërthuren me shumë hijeshi disa nga perlat e natyrës shqiptare si: burimet e Drilonit, liqeni i Ohrit, shtëpitë karakteristike të zonës, rrugë të ngushta kalimi dhe peizazhe piktoreske, të cilat krijojnë një oaz të mrekullueshëm me mundësi të shumta për zhvillimin e turizmit në zonë.

/k.s/a.a/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakFOKUS – Franca: Embargoja e BE-së ndaj naftës ruse çështje ditësh
Artikulli tjetërLoti 6 i aksit Kardhiq-Delvinë, gati për këtë sezon veror