Ballina Flash

“Java e Europës” në Vlorë, promovim turizmit të qëndrueshëm në Shqipëri

TIRANË, 5 maj/ATSH/ “Java e Europës 2022” mblodhi sot në Vlorë përfaqësues të trupit diplomatik, politikanë e përfaqësues të shoqërisë civile.

“Qyteti i Vlorës është një shembull për të shfaqur efektin transformues të anëtarësimit në BE përmes investimit në Lungomare, ndryshimit të jetës urbane, krijimit të mundësive të punësimit dhe tërheqjes së turistëve”, thuhet në një njoftim të Delegacionit të BE-së në Tiranë.

“Mirëqenia nuk është e mundur pa paqen. Nuk ka kuptim, të jesh i pasur pa qenë solidar. Kjo është arsyeja pse ne përqendrohemi tek vlerat evropiane, sepse lufta është rikthyer në Evropë. Ne duam t’i kujtojmë të gjithëve se çfarë është në zemër të BE-së: Paqja dhe Solidariteti sipas Deklaratës Schuman”, u shpreh i Ngarkuari me Punë i Delegacionit të BE-së në Shqipëri, Alexis Hupin.

Ndërkohë zëvendësministrja e Turizmit, Vilma Bello vlerësoi rëndësinë e këtij aktiviteti për promovimin e turizmit të qëndrueshëm në Shqipëri.
“Bashkëbisedim i nevojshëm edhe duke theksuar angazhimin, nismat dhe mbështetjen e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit përgjatë viteve të fundit që nxitin përfshirjen e komuniteteve lokale në zinxhirë të vlerës së turizmit e, po ashtu, krijimin e DMO-ve në vendin tonë , model i cili ka shënuar një hap në menaxhimin e turizmit të qëndrueshëm”, tha ajo.
Bello theksoi se “kemi filluar dhe ecim në bashkëpunim me grupet e interesit drejt procesit të dialogimit dhe procesit të rishikimit të ligjit për turizmin dhe shumë pranë procesit të rishikimit të  strategjisë kombëtare të zhvillimit të turizmit të qëndrueshëm”.
“Shqipëria, si një destinacion relativisht i ri, përmes një qasjeje të re dhe zbatimit të strategjisë kombëtare , parashikon turizmin e qëndrueshëm si të ardhmen e turizmit shqiptar”, shtoi ajo.

/m.m/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBERLIN – Baerbock së shpejti në një vizitë zyrtare në Ukrainë
Artikulli tjetërRoma dhe Feyenoord në finalen përuruese të Tiranës