TIRANË, 3 maj /ATSH – I. Vata/ Laguna e Vainit në Lezhë po vizitohet nga turistë të huaj ditët e fundit.
Në fundjavë laguna e Vainit u vizitua nga turistë nga Franca dhe Gjermania, sot ishin turistët anglezë që zgjodhën për ta vizituar atë.
Lajmi bëhet i ditur nga Administrata e Zonave të Mbrojtura Lezhë, e cila ka shoqëruar turistët anglezë në vizitën e tyre në lagunë.
“Sot shoqëruam në lagunën e Vainit turistë nga Anglia të cilët shijuan bukuritë që ofron laguna”, thuhet në njoftim.
Laguna e Kune-Vainit është një vend tërheqës për turistë vendas dhe kryesisht të huaj.
Jo vetëm bukuritë e natyrës, por dhe diversiteti i florës dhe faunës e bëjnë atë mjaft interesante. Laguna e Kune-Vainit është rreth 8 kilometra larg qytetit të Lezhës dhe ndodhet shumë pranë Shëngjinit.
Dallohet për larmi të madhe të botës së gjallë rreth 227 specie bimësh, 17 lloje molusqesh, 10 lloje amfibësh, 24 lloje zvarranikësh, disa lloje peshqish, si qefulli, levreku, koca, ngjala. Veçanërisht e pasur është bota e shpendëve (196 lloje migratore dhe të përhershëm).
Laguna e Kune-Vainit në Tale të Lezhës është zona e parë e mbrojtur në vend, e shpallur si e tillë gati 8 dekada më parë.
/r.e/






















