SOFJE, 1 maj /ATSH-DPA/- Presidenti bullgar Rumen Radev paralajmëroi se ekziston rreziku i përhapjes së luftës në Ukrainë në të gjithë Evropën, madje edhe në botë.
“Rreziku që lufta të përshkallëzohet në një luftë pan-evropiane dhe madje globale është real”, tha sot Radev.
Ai tha se shpërthimet po jehonin në zemrën e Evropës. “Shtëpitë tona, fëmijët tanë, atdheu dhe natyra mund të bien viktimë e këtij përshkallëzimi”, paralajmëroi Radev.
“Kjo është detyra jonë patriotike që të mos lejojmë që Bullgaria të përfshihet në luftën e Ukrainës”, tha Radev.
Radev, i konsideruar pro Rusisë ka kundërshtuar kryeministrin Kiril Petkov, i cili dëshiron të dërgojë armë nga Bullgaria në Ukrainë.
Lidhur me çështjen e ndihmës ushtarake për Ukrainën, koalicioni liberal-socialist i katër partive bullgare është i ndarë. Socialistët kërcënojnë të largohen nga qeveria nëse vendoset për dërgimin e armëve dhe municioneve.
Asambleja Kombëtare në Sofje do të diskutojë të mërkurën ndihmën ushtarake për Kievin.//a.i/





















