TIRANË, 29 prill /ATSH – I. Vata/ Dy komisionerët e rinj të Avokatit të Popullit kanë marrë tashmë emërimin dhe kanë nisur detyrën pranë institucionit më të madh të të Drejtave të Njeriut në vendin tonë.
Avokati i Popullit njofton se Olta Aliaj është komisionere e Seksionit për Mbrojtjen dhe Promovimin e të Drejtave të Fëmijëve, ndërsa Ahmet Prençi është komisioner i Mekanizmit Kombëtar për Parandalimin e Torturës, Trajtimit ose Dënimit të Egër, Çnjerëzor ose Poshtërues.
Të dy komisionerët e rinj u zgjodhën nga Kuvendi i Shqipërisë pas shqyrtimit të të gjithë kandidaturave të paraqitura për këto dy pozicione në bashkëpunim me shoqërinë civile.
Aliaj dhe Prençi vijnë nga karriera të spikatura në fushën e drejtësisë, të drejtave të njeriut dhe institucioneve shqiptare.
Olta Aliaj është diplomuar për drejtësi dhe është edukuar në Shqipëri dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Fusha e saj e ekspertizës janë të drejtat e njeriut, e drejta kushtetuese, etj. Ajo ka punuar fillimisht si asistente ligjore në SHBA, e më pas ka ndjekur një fellowship në projektin e përpilimit të kapitullit të të drejtave të njeriut në Kushtetutën e Kosovës, si dhe u emërua eksperte ligjore e Komisionit Parlamentar të Reformës në Drejtësi në Shqipëri. Përpara zgjedhjes si Komisionere e Avokatit të Popullit ajo ka shërbyer si këshilltare ligjore pranë Gjykatës Kushtetuese.
Ahmet Prençi vjen në detyrën e tij si komisioner pas një formimi shkencor në disa universitete dhe një karriere të gjatë e të suksesshme në fushën e sigurisë, zbatimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut. Ai është diplomuar për ekonomi e drejtësi, si dhe ka kryer studime të avancuara në drejtësinë penale dhe menaxhimin e lartë të Policisë.
Karriera e tij është zhvilluar prej detyrave të hetimit të krimit në Prokuroritë vendore e më pas në disa nivele drejtuese në Policinë e Shtetit deri në atë të Drejtorit të Përgjithshëm. Përpara marrjes së detyrës si Komisioner i Avokatit të Popullit, Prençi është angazhuar si këshilltar në Ministrinë e Brendshme, drejtor i Hetimit Tatimor në ILDKP, pedagog dhe ekspert i shoqërisë civile.
/j.p/r.e/























