Ballina Flash

Rama në darkën e Iftarit: Ndjesi e mirëseardhur paqeje

TIRANË, 26 prill/ATSH/ “Jam i lumtur sot që pas dy vite ndarjesh e kufizimesh pasojë e një sulmi të paprecedent pandemik, rigjendemi rreth tryezës së Iftarit. Më ka munguar ky takim, pasi prej vitesh tryeza e Iftarit ka lënë tek unë një shije të posaçme njerëzillëku duke ushqyer një ndjesi të mirëseardhur paqeje”.

Më këto fjalë e nisi përshëndetjen Kryeministri Edi Rama në sofrën tradicionale të Iftarit të shtruar në Pallatin e Brigadave, në kuadër të Muajit të Madhnueshëm të Ramazanit, ku ishin të pranishëm drejtues të besimeve fetare në vend, besimtarë, ministra, diplomatë të huaj, deputetë të Partisë Socialiste, dhe të ftuar të tjerë.

“Natyrisht nuk do të mungojnë as në këtë rast përqeshjet, përfoljet, të cilat i ushqen një këndvështrim i shtrembër i fesë në tërësi dhe një injorancë ulëritëse mbi Islamin në veçanti. Por nuk ka nevojë as të jesh mysliman, as të jesh hiç fare besimtar në Zot, që të ulesh në tryezën e Iftarit dhe të marrësh prej saj ushqimin lehtësues për mendjen dhe për shpirtin”, theksoi Rama.

Kryeministri Rama u shpreh se “thelbi i kësaj tryeze është Islami pa dyshim, por nga ana tjetër Islami është përveç se një fe, e përqafuar ethshëm nga besimtarë myslimanë edhe një dhuratë pa kushte për mbarë njerëzimin, një dhuratë që është gjynah ta refuzosh në mos si një burim besimi tek Zoti, si një burim më shumë besimi tek njeriu, tek vetja, tek ai që jo thjesht duhet, por mund të jesh”.

“Kjo tryezë, jo vetëm nuk është tepërt, e dalë boje, e tejkaluar në botën që njohim sot, por është në vendin e saj, në kohën e saj, në të drejtën e saj të qytetarisë, në këtë botë ku progresi, teknologjia, inteligjenca artificiale, jo vetëm që nuk e kanë bërë më pak të nevojshëm besimin, por përkundrazi. Nuk ka si të jetë ndryshe në fakt, deri sa feja është një nga aspektet më të rëndësishme të historisë shpirtërore të njeriut dhe një nga pjesët më të pazëvendësueshme të anatomisë, të kulturës njerëzore në tërësi”, tha Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se “feja, librat e shenjtë, historia dhe arti i saj nuk janë kurrsesi vetëm një çështje e besimtarëve, aq më pak janë çështje të ndara sipas besimeve, të kultivuara në parcela të ndryshme të kopshtit të besimit, përderisa në qendër të fesë është kërkimi i të vërtetës absolute, të vërtetës rreth ligjësive të natyrës, por dhe ligjeve e normave shoqërore, të cilave njeriu i bindet, ama duke e pyetur pa reshtur veten se përse gjërat duhet të jenë kështu e jo ashtu? Atëherë, krejt natyrshëm për çdonjërin prej nesh feja ofron një hartë të vetën, që na ofron në leximin e rrugëve të jetës, sidomos në udhëkryqet e tyre. “Mos gjyko, se do të gjykohesh nga gjykimi yt”. “Mos ia bëj tjetrit atë që nuk do doje që tjetri të ta bënte ty”. “Mos ua përmend të tjerëve nderet”, e me radhë plot të tjera, deri tek “mos e harro që armiku yt mund të bëhet miku yt më i mirë”, janë drita orientuese në atë hartë e ndërkohë që në çdo hap në rrugët tona të jetës, ne i kemi si hije pyetjet e pandashme, pavarësisht sa larg shkon shkenca apo teknologjia”.

Nëpërmjet urës së feve, vijoi Rama, njerëzit e kapërcejnë dimensionin e tyre kafshëror dhe hyjnë në një dimension shpirtëror ku e vërteta dhe sekreti janë të lidhura pazgjidhshmërisht dhe ku merr formë një marrëdhënie e brendshme me një qenie të përtejme, me një qenie që është brenda teje, por që është përtej teje.

“Tek kjo marrëdhënie me shumë stade, njeriu e zbulon veten si krijesa më e fuqishme por dhe si qenia më e mjerë në botë, sepse sado të përparojë, njeriu nuk e gjen dot të gjithë kuptimin e gjithësisë e pikërisht tamam aty, tek kufiri fundor i njohjes, fillon besimi. Aty fillon lehtësimi i shpirtit të njeriut nga barra e mjerimit të pandashëm të qenies së tij, që i ka ditët gjithsesi të numëruara”, tha Rama.

Më tej Rama u shpreh se “fe e të barabartëve e kanë cilësuar Islamin. Ne sot jemi këtu myslimanë e të krishterë, besimtarë dhe jo, pikërisht si njerëz të barabartë në tryezën e një feje të barabartësh, e cila nuk na kërkon asnjë nënshtrim tjetër, përveç respektin për sho-shoqin, bashkimin në mirësi, vetëpërmbajtjes me mendje të hapur në dëgjimin e tjetrit, rreshtimit krah për krah pa asnjë epërsi, mu si vetë Profeti i gjunjëzuar krah ndjekësit më të fundit në luftën e të barabartëve drejtuar zotit të tyre”.

Kryeministri Rama theksoi se “në gjuhët e perëndimit toni imponues, shpërfillës, përbuzës i fjalës ‘nënshtrim’ i është mbivendosur dhunshëm kuptimit sa të dëlirë aq edhe të hijshëm të saj që në fakt e përmban kjo fjalë në konteksti kuranor. Dorëzim besimplotë tek Zoti ose t’i jepesh lirisht e në ndërgjegje paqes. T’i jepesh e t’i përkushtohesh paqes, jo vetëm që nuk do të thotë t’i nënshtrohesh diçkaje apo ndokujt, por do të thotë të jesh ndriçues e çlirues i asaj thellësie shpirtërore ku gëlon burimi i besimit. Aty ku formësohen dhe fetë dhe ku edhe besimi islam ka buruar, jo në emrin e Profetit që e shpalli atë, por përmes raportit mes atij që qëndron përtej njohjes sonë dhe lajmëtarit të tij këtej nga ana jonë”.

Tani, shtoi Rama, cilido që mund të mendonte këtu apo ndër ata që mund të na ndjekin se unë po predikoj fenë islame, do të duhet të ndalej, sepse nuk është ky qëllimi im, fare, aq më tepër që të tjerë ku e ku më të mëdhenj, si Gote, mendimtar i ndikuar deri në palcë nga Judeu, krishtërimi e kanë bërë këtë deri në çudi si në vargjet më të famshëm të divanit mes Perëndimit dhe Lindjes; “Nëse islam do të thotë t’i nënshtrohesh vullnetit vullnetit në Zot, atëherë nën islam jetofshim jetë e mot”, apo Naimi ynë “Kafshët dhe bagëtia na i dha në këtë jetë shokë e ndihmës, Perëndia. O shokët e njeriut, Zoti ju shtoftë dhe ju begoftë dhe shpirti im mik përjetë, sikundër ka qenë ju qoftë, kafshët dhe bagëtinë që ju ka kaq nevojë, njeriu duhet t’i shohë, t’i ketë kujdes, t’i dojë. Mos t’i mundojë kurrë, por si fëmijë t’i kemi, është mëkat dhe fjalë të ligë për to të themi”.

Kryeministri Rama tha se “në 20 vitet e fundit çmimi Nobel i është dhënë 6 personaliteteve të besimit mysliman, kryesisht gra. Të gjitha këto personalitete janë njerëz të librit, por janë dhe njerëz të besimit. Shirin Ebadi gjykatësja e angazhuar që provoi përndjekjet e ajatollahëve iranianë, lauratja e parë myslimane grua e çmimit Nobel në 2003-in thoshte: “gjatë 23 viteve të fundit nga dita qe më shkarkuan nga detyra e gjykatëses, deri në betejat përpara gjykatave revolucionare të Teheranit nuk kam reshtur së përsërituri një interpretim të islamit në harmoni me barazinë dhe demokracinë”, është shprehja më autentike e besimit. Të gjitha këto e bëjnë sot e kësaj dite islamin një shkollë universale prej se cilës përftohet çka në gjuhën arabe shprehet me fjalë “Isan”, të vepruarit bukur dhe hijshëm. Bukur dhe hijshëm më duket se po veprojmë edhe ne sot tek jemi së bashku rreth tryezës së iftarit duke kryer një gjest miqësie dhe mirësie”.

“Të gjithë vëllezërve dhe motrave të besimit islam, këtu dhe kudo që ndodhen, iu uroj agjërim të lehtë dhe lutje të pranuara! Ndërsa ne të tjerët, uroj që përtej besimeve të ndryshme dhe mosbesimeve të larmishme të gjejmë më shumë forcë për vetëpërmbajtje dhe arsye për mirëkuptim brenda kufijve të ekzistencës sonë, gjithsesi shumë të përkohshme. Zoti qoftë me ne, me familjet tuaja, me Shqipërinë dhe me shqiptarët!” – tha Rama.

/k.s/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBERLIN – Ministri i Ekonomisë: Gjermania mund ta përballojë embargon ndaj naftës ruse
Artikulli tjetërPolicia finalizon 2 operacione antidrogë në Tiranë, 2 në pranga