BERLIN, 26 prill /ATSH-DPA/ – Twitter njoftoi se ka hyrë në një marrëveshje përfundimtare për t’u blerë nga themeluesi i Tesla-s, Elon Musk në një transaksion me vlerë rreth 44 miliardë dollarë.
”Pasi transaksioni të përfundojë, Twitter do të bëhet një kompani private”, tha kompania në një deklaratë.
“Bordi i Twitter-it kreu një proces të menduar dhe gjithëpërfshirës për të vlerësuar propozimin e Elon Musk me një fokus të qëllimshëm në vlerë, siguri dhe financim”, tha kryetari i pavarur i bordit të Twitter-it, Bret Taylor.
Musk bëri propozimin jodetyrues për të blerë të gjitha aksionet e zakonshme të Twitter-it, që nuk janë tashmë në pronësi të tij në fillim të këtij muaji.
Transaksioni, i cili është miratuar unanimisht nga bordi i drejtorëve të Twitter-it, pritet të mbyllet në vitin 2022, me miratimin e aksionerëve të Twitter-it./ a.jor.























