TIRANË, 26 prill/ATSH-Maela Marini/ Shefja e departamentit të Epidemiologjisë dhe Sëmundjeve Infektive në Institutin e Shëndetit Publik, Silva Bino deklaroi sot se më shumë e gjysma e popullsisë janë vaksinuar me të dyja dozat kundër COVID-19.
Në mbledhjen e Komitetit Teknik të Ekspertëve, Bino informoi se “në Shqipëri kanë ardhur mbi 3 milionë doza të vaksine anti-COVID dhe rreth 87 % e tyre janë përdorur”.
“Kemi një nivel të lartë përdorimi të vaksinave. Vaksina ‘Pfizer’ është më e përdorura në vend, e ndjekur nga ‘Coronavac’ dhe ‘AstraZeneca’. Kemi mbulesë mbi 50 % me një dozë për gjithë popullatën mbi 12 vjeç e lart dhe mbi 50 % me dy doza për popullatën mbi 16 vjeç. Gjysma e popullatës është vaksinuar”, tha Bino.
Bashkitë me mbulesën më të lartë vaksinale, sipas saj, janë Mirdita, Tirana, Belshi, Himara, Saranda dhe Gjirokastra, me nivele vaksinimi mbi 70 %.
Bashkitë me nivel më të ulët vaksinimi, sipas Binos janë Laçi, Malësia e Madhe, Klosi, disa bashki në rajonin e Elbasanit, përfshi edhe Elbasanin, dhe Shkodra.
Për sa i përket grupeve të riskut, Bino theksoi se grupmosha 80 vjeç e lart ka mbulesë të lartë vaksinale dhe po ashtu edhe grupmosha mbi 60 vjeç.
Ndërsa mbulesë të ulët ka grupmosha 40-50 vjeç dhe nën 40 vjeç.
Për punonjësit shëndetësorë, Bino tha se kanë vaksinuar me një dozë 93 % e tyre dhe me të dyja dozat 91 %.
“Shqipëria është vendi i dytë në rajon i përdorimit të vaksinave në dispozicion dhe vendi i tretë në rajon për mbulesën vaksinale të gjithë popullatës.
Bino i bëri apel të rinjve të vaksinohen , pasi pavarësisht situatës të mirë epidemiologjike shtamet po pësojnë mutacione të vazhdueshme, ndaj risku mbetet aktual pavarësisht uljes së rasteve. “Vaksinimi është masa më e rëndësishme që mbron nga hospitalizimet dhe vdekja”, tha ajo.
/m.m/r.e/























