Ballina Flash

Vdes dekania e njerëzimit

TOKIO, 25 prill /ATSH-AFP/ – Një japoneze, e cila u njoh zyrtarisht si dekania e njerëzimit, vdiq më 19 prill në moshën 119-vjeçare, njoftuan sot autoritetet.

Kane Tanaka u lind më 2 janar 1903 në Fukuoka, atë vit kur vëllezërit Wright bënë fluturimin dhe Marie Curie u bë gruaja e parë që fitonte një çmim Nobel.

Ajo ishte relativisht e shëndetshme deri vonë dhe jetonte në një azil. I pëlqenin lojërat në tavolinë, zgjidhja e problemeve matematikore, pijet e gazuara dhe çokollata.

Kur ishte më e re, Tanaka kishte drejtuar disa biznese, përfshirë një dyqan petësh dhe një dyqan ëmbëlsirash orizi.

Kur libri i rekordeve ”Guinness” i dha asaj titullin e njeriut më të moshuar të gjallë në botë, në vitin 2019, ajo u pyet se cili ishte momenti më i lumtur në jetën e saj.

“Tani”, u përgjigj ajo.

Rutina e saj e përditshme ishte zgjimi në orën 06:00, studimi i matematikës dhe  praktikimi i kaligrafisë.

Japonia ka popullsinë më të moshuar në botë dhe rreth 86 500 nga banorët e saj janë 100-vjeçarë.

Personi më i moshuar që ka jetuar ndonjëherë është francezja, Jeanne Calment, e cila vdiq në vitin 1997, në moshën 122-vjeçare./ a.jor.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakJavët Kulturore Ndërkombëtare, Margariti: Marrin pjesë 17 vende, ndërthurje e të gjitha kulturave
Artikulli tjetërNano: I vendosur për të shkrirë principet e shoqërisë civile me ato policore