Ballina Aktualitet

Meta: Të vendosim linjë direkte ajrore Tiranë-Kalabri

TIRANË, 21 prill /ATSH/ Presidenti i Republikës, Ilir Meta u prit në një takim të përzemërt nga presidenti i Rajonit të Kalabrisë, Roberto Occhiuto.

Presidenti Meta theksoi se, Arbëreshët dhe komuniteti shqiptar i pas viteve ’90-të në Itali qëndrojnë në themel të marrëdhënieve të shkëlqyera historike dhe tradicionale mes dy popujve e vendeve tona.

“Ruajtja e identitetit kombëtar, integrimi i plotë i Arbëreshëve dhe i komunitetit të ri shqiptar në jetën ekonomike, sociale, kulturore, intelektuale dhe përfshirja e tyre gjithnjë e më shumë në realitetin politik në Itali, duke ruajtur karakteristika të forta të identitetit të origjinës, u japin marrëdhënieve mes nesh një dimension tjetër të veçantë”, u shpreh Kreu i Shtetit.

Pasi nënvizoi rëndësinë e nënshkrimit të një Protokolli të Përbashkët mes Shqipërisë dhe Rajonit Kalabri, sipas atij ekzistues me Rajonin e Puljas, dhe atë të propozuar me Rajonin e Sicilisë, Presidenti Meta theksoi domosdoshmërinë e vendosjes sa më parë të një linje direkte ajrore Tiranë-Kalabri, që do të kontribuojë për të shumëfishuar lidhjet mes Arbëreshëve dhe shqiptarëve, por edhe mes dy popujve tanë, duke sjellë një impakt të madh sidomos në zhvillimin e turizmit.

Kreu i Shtetit solli në vëmendje mësimin e arbërishtes në shkollë, në të gjitha trevat ku banojnë në Itali, në përputhje me aktualizimin e Ligjit italian nr. 482 “Për minorancat gjuhësore”, por dhe sipas nevojës së artikuluar nga profesorët e Katedrës së gjuhës shqipe në Universitetin e Cosenza-s.

Duke e konsideruar trashëgiminë kulturore arbëreshe “Moti i Madh”, si një pasuri të çmuar të Shqipërisë dhe Italisë, Presidenti Meta theksoi se autoritetet e të dy vendeve duhet të dyfishojnë përpjekjet për përfshirjen e kësaj vlere të çmuar evropiane dhe botërore në UNESCO.

Gjithashtu, Kryetari i Shtetit vlerësoi avokatinë e pashembullt të Italisë për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, si dhe ndihmesën bujare të gjithanshme të dhënë për zhvillimin dhe demokratizimin e vendit tonë.

Presidenti Ilir Meta gjatë vizitës që po zhvillon në Kalabri u prit nga arbëreshët në San Nicola dell’Alto (Shën Nikollit) në Crotone.

“Mirënjohje Arbëreshëve në San Nicola dell’Alto (Shën Nikollit) në Crotone, Kryebashkiakut Francesco Scarpelli dhe autoriteteve të larta vendore për pritjen e përzemërt që më nderon”, u shpreh Meta.

“Të bëhet zemra mal kur sheh djemtë dhe vajzat e reja të këtij katundi të bukur arbëresh, të veshur me kostume tradicionale, që i trashëgojnë dhe i lartësojnë traditat dhe vlerat tona kombëtare, duke na bërë të ndihemi krenarë për identitetin tonë evropian”, theksoi Meta.

“Na duhet më shumë përkushtim për edukimin e brezave të rinj me historinë dhe gjuhën e të parëve tanë dhe në veçanti për ndalimin e shpopullimit, një fenomen tragjik që ka prekur shoqërinë dhe të dyja vendet tona”, u shpreh Meta.

“T’u krijojmë kushte të rinjve për një arsim cilësor, punë të mirëpaguar dhe një jetë dinjitoze, duke i edukuar me patriotizëm dhe lidhur fort me rrënjët kombëtare”, theksoi Meta.

Meta shtoi se, “sa më e fortë të jetë lidhja e arbëreshëve me Shqipërinë, Kosovën dhe të gjitha trevat ku jetojnë shqiptarë në rajon, aq më i fortë është kombi ynë për të përballuar sfidat e së ardhmes”.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakNis puna për kartelizimin digjital të pasurive kulturore
Artikulli tjetërFMN vlerëson qasjen rregullatore të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare