Ballina Flash

Kosova e Serbia pa marrëveshje për targat

PRISHTINË, 21 prill /ATSH/ Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi deklaroi sot se me palën serbe nuk kanë arritur marrëveshje për çështjen e targave.

“Jo, fatkeqësisht nuk mund të jap lajm të mirë. Grupi ynë punues sërish është munduar edhe ditën e djeshme që të vijë deri te një draft-propozim që do të na bartej ne sot për diskutim. Fatkeqësisht ka zero gatishmëri nga pala serbe për t’u dakorduar për një zgjidhje të mundshme brenda kornizave që i ka paraparë pika e tretë e marrëveshjes e 30 shtatorit”, tha Bislimi.

Bislimi tha po ashtu se u mbetet krerëve shtetërorë se si të vazhdohet tutje, pasi marrëveshja e përkohshme për targat skadon sot.

“Është vendim politik që duhet të marrin krerët e shtetit se si të ecim tutje, por nuk do të ketë asnjë veprim të menjëhershëm, do të ketë gjithçka të përgatitur mirë dhe të dakorduar edhe me komunitetin ndërkombëtar. Gjithçka do të jetë në funksion të vendosjes së rendit”, tha Bislimi.

Ai shtoi se Kosova do ta trajtojë lirinë e lëvizjes, njësojë sikurse Serbia.

“Ndërkaq, për tabelat ‘KM’ të cilat kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë ilegale, do të ofrohet një opsion se si kalojmë te targat normale”, tha Bislimi.

Këto deklarata të Bislimit vijnë pasi në Bruksel, ai fillimisht u takua me të dërguarin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, teksa sot është afati i fundit për të gjetur një zgjidhje të përhershme për çështjen e targave të automjeteve.

Miroslav Lajçak ka arritur t’i bindë palët që të ulen në tryezën e përbashkët.

Petar Petkoviq, nga pala serbe dhe Besnik Bislimi nga ajo e Kosovës nuk janë takuar së bashku që nga vera e kaluar.

Bislimi po ashtu tha se në takimin me kryenegociatorin serb, Beogradi tregoi “se nuk do zgjidhje”.

“Edhe sot kur u konfrontuam me faktin e hidhur që pala serbe nuk do zgjidhje, ne u munduam që të gjejmë një opsion kalimtar, duke e bartur përgjegjësinë nga grupi punues te kryenegociatorët për një periudhë tranzitore prej 30 ditësh, edhe këtu Serbia nuk ishte e gatshme të bashkëpunojmë. Kështu që mund të them që marrëveshja për targat apo ideja për arritjen e marrëveshjes për targa ka përfunduar pa sukses”, shtoi Bislimi.

Ndërkaq, mediat në Serbi kanë raportuar se Kosova dhe Serbia janë pajtuar për shkëmbimin e të dhënave arkivore, por një gjë e tillë nuk është konfirmuar nga delegacioni i Kosovës në Bruksel.

Më herët gjatë 21 prillit, Lajçak zhvilloi takime me delegacionin e Serbisë, të kryesuar nga Petar Petkoviq.

Edhe Lajçak konfirmoi takimet në Bruksel për targat, por shtoi se në këto takime po bisedohet edhe për takimin e radhës të nivelit të lartë të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë.

“Sot po zhvillohet takimi i kryenegociatorëve midis Kosovës dhe Serbisë. Ne kemi një agjendë të plotë me çështjet aktuale, përfshirë targat e makinave, zbatimin e marrëveshjeve të kaluara të dialogut dhe përgatitjet për takimin e radhës të nivelit të lartë”, shkroi Lajçak në Twitter.

Më 30 shtator të vitit të kaluar në Bruksel është arritur një marrëveshje e përkohshme lidhur me targat, me kusht që një marrëveshje përfundimtare të arrihej brenda gjashtë muajsh.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakOsmani me senatorët amerikanë: Kontinenti ynë nën kërcënim nga Rusia e Serbia
Artikulli tjetërFINLANDË – Parlamenti nis diskutimet për anëtarësimin në NATO