Ballina Bota

VARSHAVË – Rreth 2.55 milionë refugjatë ukrainas në Poloni

VARSHAVË, 7 prill /ATSH-DPA/ Rreth 2.55 milionë refugjatë ukrainas janë strehuar në Poloni që nga fillimi i pushtimit rus më 24 shkurt.

“Vetëm dje u regjistruan 23,400 persona, një rritje prej 16% krahasuar me një ditë më pare”, njoftoi sot roja kufitare polake në Twitter.

Gjatë një takimi në Varshavë, kryeministri polak Mateusz Morawiecki falënderoi përfaqësuesit e qeverive lokale për bashkëpunimin e tyre në trajtimin e refugjatëve nga Ukraina.

“Kemi të bëjmë me krizën më të madhe të refugjatëve që nga Lufta e Dytë Botërore”, tha ai, sipas agjencisë së lajmeve PAP.

“Polonia dëshiron t’u ofrojë refugjatëve ukrainas një pjesë të normalitetit. Prandaj, bashkëpunimi i qetë ndërmjet qeverisë dhe komunave është jashtëzakonisht i rëndësishëm”, shtoi ai.

Sipas Morawiecki, qeveria ka siguruar 500 milionë zloti (120.1 milionë dollarë) për të ndihmuar komunat të pranojnë refugjatët.

Aktualisht nuk ka asnjë informacion zyrtar sesa është numri i refugjatëve të luftës që kanë qëndruar në Poloni dhe sa kanë udhëtuar në vendet e tjera të BE-së.

“Gatishmëria për të ndihmuar ofron gjithashtu një mundësi unike për të përcjellë një imazh pozitiv të Polonisë në mbarë botën”, tha Morawiecki. //a.i/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakCilat janë ushqimet më të preferuara në rrjetet sociale?
Artikulli tjetërAKU: Drejt Shqipërisë nuk janë importuar “Kinder” të loteve me salmonelë