Ballina Bota

Gigafabrika e re TESLA hapet në Berlin

BERLIN, 22 mars /ATSH-DPA/- Kompania gjigante e prodhimit të makinave “Tesla” ka hapur sot fabrikën e saj të re në Berlin, ndërsa shefi ekzekutiv Elon Musk u ka dorëzuar dërgesat e para klientëve mes duartrokitjeve të politikanëve gjermanë të cilët e vlerësuan kompaninë amerikane për nxitjen e ekonomisë në vend.

E ashtuquajtura “gigafabrika”, e vendosur në Grünheide në shtetin rural të Brandenburgut, që rrethon kryeqytetin gjerman, do të jetë fabrika e parë e prodhimit të makinave elektrike në Evropë.

Në fazën e parë të funksionimit të saj, fabrika do të prodhojë deri në 500,000 makina elektrike në vit dhe do të punësojë rreth 12,000 persona.

“Një ditë e veçantë për rajonin, një ditë e veçantë edhe për Gjermaninë dhe një ditë e veçantë për tranzicionin e lëvizshmërisë në Gjermani”, tha ministri për Ekonominë dhe Klimën, Robert Habeck.

Habeck, i cili po mbikëqyr tranzicionin e industrisë gjermane nga karburantet fosile, tha se ardhja e kompanisë amerikane kishte implikime shumë më të gjera, pasi ajo synon të largojë ekonominë nga përdorimi i naftës.

Kancelari gjerman Olaf Scholz dhe kryeministri i shtetit të Brandenburgut, Dietmar Woidke shfrytëzuan rastin për të promovuar Gjermaninë lindore, tradicionalisht anën më të varfër të vendit që nga ribashkimi në 1990, si një vend prestigjioz për investime. //a.i/

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBERLIN – Scholz vazhdon të kundërshtojë bojkotin e energjisë ruse
Artikulli tjetërAKU: Produktet dhe nënproduktet e mishit, të kontrolluara