Ballina Ekonomi

Rregullat e funksionimit të Bordit të Administrimit të Hidrokarbureve

TIRANË, 14 mars /ATSH/ Akti Normativ që përcakton ngritjen e Bordit të Transparencës dhe Kufizimit të Përkohshëm të Çmimeve të Tregtimit me Shumicë/Pakicë të Nënprodukteve të Naftës dhe Gazit, dhe rregullat e funksionimit të shoqërive të hidrokarbureve, në situatën emergjente krijuar nga lufta në Ukrainë, është botuar në Fletoren Zyrtare.

Referuar relacionit që shoqëron këtë Akt Normativ, Bordi ka në përbërje: ministrin përgjegjës për ekonominë, në cilësinë e kryetarit; ministrin përgjegjës për hidrokarburet; Drejtorin e Përgjithshëm të Tatimeve; Drejtorin e Përgjithshëm të Doganave; 5 përfaqësues nga shoqëritë e hidrokarbureve, ndër të cilët 3 përfaqësues nga shoqëritë e tregtimit me shumicë dhe 2 përfaqësues të tregtimit me pakicë të hidrokarbureve; 2 përfaqësues nga ministria përgjegjëse për hidrokarburet, në nivel drejtuesi; 1 përfaqësues nga ministria përgjegjëse për financat, në nivel drejtuesi të lartë.

Bordi mund të ftojë të marrin pjesë në mbledhjet e tij edhe përfaqësues të tjerë nga institucione shtetërore, ekspertë të fushës apo grupe interesi.

Bordi merr vendime me shumicë të thjeshtë të të gjithë anëtarëve të tij. Në rastet e konfliktit të interesit të përfaqësuesve të shoqërive hidrokarbure, ndaj të cilave merret masë administrative, përfaqësuesi merr pjesë pa të drejtë vote në mbledhjen e Bordit dhe përjashtohet nga vendimmarrja.

Kompetencat dhe përgjegjësitë e Bordit janë: Të zbatojë metodologjinë e përcaktuar në përcaktimin me transparencë të plotë të çmimit tavan, duke marrë në konsideratë një marzh, i cili mbulon kostot e shoqërisë; b) Të njoftojë në mënyrë periodike, çmimet tavan.  Vendimet e marra nga Bordi i fillojnë efektet ditën pasardhëse ose sipas përcaktimit të vendimit të Bordit; c) Të vendosë masën administrative, që duhet të ndërmerren ndaj shoqërive në rast shkeljeje të parashikimeve të këtij kreu.

Çmimet e caktuara me vendim të Bordit janë të detyrueshme të zbatohen nga të gjitha shoqëritë dhe zbatimi i tyre monitorohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, nëpërmjet verifikimit të faturave të lëshuara nga shoqëritë gjatë periudhës së masave të veçanta dhe nga Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut, që vepron kryesisht nëpërmjet kontrolleve ose ankesave nga konsumatorët/qytetarët. Sipas rastit, Bordi mund të urdhërojë një nga strukturat e parashikuara në verifikime të thelluara në terren.

Bordi cakton çdo javë ose kur e vlerëson të nevojshme, çmimin tavan për shitjen për gazoilin, benzinën dhe gazin e lëngshëm të naftës, sipas metodologjisë së mëposhtme: Çmimi i shpallur nga bursa në Platts i një dite më parë nga mbledhja e Bordit, në kushtet CIF Med, për gazoilin, e standardit SSH EN 590 2018, benzinën e standardit SSH EN 228 2018 dhe gazin e lëngshëm të naftës përkatësisht propan, butan dhe përzierjen e tyre; Çmimit të përcaktuar, i shtohet një vlerë premio prej 20 USD/ton.

Për shoqëritë e tregtimit me shumicë lejohet një shtesë jo më shumë se 1 % mbi çmimin e përllogaritur, në të cilin aplikohen edhe taksat e tarifat, sipas legjislacionit në fuqi; Për shoqëritë e tregtimit me pakicë lejohet një shtesë jo më shumë se 5 % mbi çmimin e përllogaritur, në të cilin aplikohen edhe taksat e tarifat, sipas legjislacionit në fuqi.

Në rast të mosrespektimit të çmimit tavan përkatës, të vendosur nga Bordi, zbatohen sanksionet e mëposhtme: a) Shoqëritë e tregtimit me shumicë të produkteve të naftës dhe gazit dënohen me gjobë, në masën 10 milionë lekë; b) Shoqëritë e tregtimit me pakicë të produkteve të naftës dhe gazit, të cilat nuk respektojnë çmimin tavan përkatës të vendosur nga Bordi, dënohen me gjobë, në masën 2 milionë lekë; c) Në rast përsëritjeje, masave të mësipërme, të përcaktuara, i shtohet edhe heqja e licencës së tregtimit.

Të gjitha shoqëritë, që tregtojnë me shumicë produktet dhe nënproduktet e naftës dhe gazit, janë të detyruara të marrin masa për mbajtjen e rezervave përkatëse, sipas përcaktimeve në legjislacionin në fuqi, dhe të ofrojnë këtë shërbim të pandërprerë, në përputhje me vendimet e Bordit. Të gjitha shoqëritë, që tregtojnë me pakicë produktet dhe nënproduktet e naftës dhe gazit, janë të detyruara të marrin të gjitha masat e nevojshme për të siguruar furnizimin e pandërprerë të konsumatorit/qytetarit, në përputhje me vendimet e Bordit.

Mosmarrja e masave nga shoqëritë private, sipas përcaktimeve në pikat 1 dhe 2, të këtij neni, dënohet sipas legjislacionit të fushës dhe këto shoqëri përjashtohen nga procedurat e prokurimit publik për një periudhë 3-vjeçare nga Agjencia e Prokurimit Publik. “Albpetrol”, sh.a., me qëllim përmirësimin e situatës me furnizim të hidrokarbureve, ka të drejtë të hyjë në marrëveshje direkte me shoqëri private ose publike.

Të drejtën e dhënies së masave administrative me gjobë, e ka Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut. Shkeljet e konstatuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, që lidhen me masë administrative me gjobë, i dërgohen brenda 24 orëve Inspektoratit Shtetëror të Mbikëqyrjes së Tregut, i cili vepron, brenda 5 ditëve me marrjen e masës përkatëse, të propozuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.

Shkeljet e konstatuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut, që lidhen me masën administrative “heqje licence të tregtimit”, i dërgohen brenda 48 orëve Bordit.

Me marrjen e kërkesës Bordi merr vendim lidhur me masën administrative “heqje licence të tregtimit”. Vendimi i Bordit i dërgohet për ekzekutim dhe fillimin e procedurës për heqjen e licencës organit kompetent. Akti administrativ i heqjes së licencës merret nga organi kompetent brenda 30 ditëve nga data e konstatimit të shkeljes.

Gjobat e dhëna, sipas këtij kreu, përbëjnë titull ekzekutiv dhe modeli i tyre përcaktohet nga Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut. Gjobat e mbledhura, sipas këtij kreu, derdhen 100 % në buxhetin e shtetit. Shqyrtimi dhe dhënia e masave administrative bëhen në përputhje me parashikimet e Kodit të Procedurave Administrative.

Masat administrative me gjobë, të vendosura sipas këtij kreu, ankimohen sipas parashikimeve të Kodit të Procedurave Administrative, ndërsa masat administrative me heqje licence të tregtimit ankimohen në gjykatën kompetente për shqyrtimin e mosmarrëveshjeve administrative, në përputhje me legjislacionin në fuqi”.

Me hyrjen në fuqi të këtij akti normativ shpallet edhe situata e veçantë, në kuptim të këtij kreu, dhe fillojnë të zbatohen masat me karakter të veçantë, si pasojë e situatës emergjente të tregut hidrokarbur.

Kush nuk respekton çmimin tavan që Bordi vendos në varësi të bursës, gjobitet e në rast përsëritje humb licencën. Ndërsa kush nuk siguron rezerva për 3 muaj, gjobitet dhe përjashtohet 3 vjet nga çdo tender.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakFOKUS – Gjermania blen 35 avionë ushtarakë amerikanë F-35
Artikulli tjetërFOKUS – Franca kërkon sanksionimin e dhjetëra njerëz të tjerë të afërt me Putinin