Ballina Aktualitet

Bllokuan qarkullimin e mjeteve, disa të arrestuar pas protestës

TIRANË, 12 mars/ATSH/ Policia e Shtetit ka ndalur disa persona, të cilët gjatë protestës së djeshme në disa qytete të vendit kundër rritjes së çmimeve, janë konfrontuar me punonjësit e Policisë dhe kanë bllokuar lëvizjen e lirë të automjeteve dhe të qytetarëve.

Në kryeqytet policia procedoi penalisht 6 shtetas që penguan qarkullimin e mjeteve të transportit, dhe prishën rendin dhe qetësinë publike gjatë protestës së ditës së djeshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Dibër ka arrestuar në flagrancë 5 shtetas të cilët penguan qarkullimin e automjeteve duke bllokuar rrugën nacionale Bulqizë-Peshkopi dhe nuk iu bindën e kundërshtuan me forcë punonjësit e Policisë. Po ashtu Policia e Dibrës procedoi penalisht 16 shtetas dhe shpalli në kërkim një tjetër.

Në Lezhë, Polica arrestoi në flagrancë 1 shtetas dhe procedoi penalisht 10 të tjerë, pasi bllokuan rrugën duke mos lejuar kalimin e automjeteve në të dy senset e lëvizjes në rrugën Lezhë-Shkodër.

Policia e Korçës procedoi penalisht 10 shtetas që penguan qarkullimin e automjeteve gjatë protestës së ditës së djeshme dhe kundërshtuan e nuk iu bindën urdhrit të punonjësve të policisë për të zhbllokuar rrugën.

Në Berat, Policia procedoi penalisht 5 shtetas që penguan qarkullimin e automjeteve duke bllokuar rrugën kryesore urbane “Antipatrea” dhe nuk iu bindën urdhrit të punonjësve të Policisë.

Në Lushnjë, u proceduan penalisht 13 shtetas që bllokuan rrugën duke mos lejuar kalimin e automjeteve në të dy senset e lëvizjes në aksin rrugor Fier-Lushnjë./m.m/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakManastirliu: Kryhen 125 transplante të veshkës, paketat financohet 100% nga shteti
Artikulli tjetërUKRAINË – Trupat ruse shumë pranë Kievit