TIRANË, 10 mars/ATSH/ Protesta e organizuar nga shoqëria civile kundër rritjes së çmimeve pas agresionit rus në Ukrainë, ka vijuar sot në ditën e dytë në kryeqytet dhe disa qytete të tjera të vendit.
Në Tiranë, qytetarët janë mbledhur sërish para Kryeministrisë, duke protestuar kundër rritjes së çmimit të naftës dhe të çmimeve të tjera të produkteve të shportës.
Me pankartat në duar me mbishkrimet “Ulni çmimin e naftës”, ata kërkuan ndërhyrjen e institucioneve për të mos lejuar vazhdimin e rritjes së çmimeve dhe stabilizimin e tyre.
Të vendosur për të vijuar protestat deri në marrjen e një zgjidhjeje, folësit nga shoqëria civile vunë në dukje se “pas protestës së djeshme, nafta pësoi një rënie të lehtë”.
Ditën e sotme, protesta kundër rritjes së çmimeve është shtrirë edhe në disa qytete të vendit, si në Durrës ku qytetarët krijuan bllokime në autostradë dhe si pasojë radhë trafiku.
Qytetarët fikën makinat në rrugë duke bllokuar qarkullimin, si formë reagimi ndaj çmimeve të larta të karburanteve.
Po ashtu, qytetarët fikën makinat duke bllokuar rrugën në Milot-Rrëshen. Raportime për bllokim të rrugës nga fermerët kishte dhe nga Lushnja.
Banorët e Bilishtit dhe të Devollit protestuan për uljen e çmimeve, veçanërisht të naftës në qendër të qytetit.
Qindra qytetarë shkodranë protestuan po ashtu kundër rritjes së çmimeve. Në shenjë proteste për naftën, ata bllokuan qarkullimin duke fikur automjetet në qytet
Dy ditë më parë një një komunikim me gazetarët, Kryeministri Edi Rama deklaroi se “çmimi i naftës, ashtu si edhe në vende të tjera, ndikohet drejtpërdrejtë nga tregu dhe jo nga vendimet e qeverisë”.
/m.m/j.p/r.e/




















