Ballina Ekonomi

Fushatë ndërgjegjësimi kundër informalitetit në tregun e punës

TIRANË, 4 mars /ATSH/ Në kuadër të luftës kundër informalitetit në tregun e punës Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore ka nisur fushatën e ndërgjegjësimit nën sloganin “Së bashku arrijmë më shumë”.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë bën të ditur se, kjo fushatë do të shtrihet në aktivitetet fason dhe do të zhvillohet e integruar paralelisht në dy forma që përfshijnë ndërgjegjësim për punëdhënësit dhe ndërgjegjësim për punëmarrësit.

Ndërgjegjësimi i punëdhënësve do të përmbushet përmes organizimit të tryezave rajonale, të cilat do të udhëhiqen nga drejtues të lartë të ISHPSHSH-së.

Sipas MFE-së, diskutimet do të jenë të lidhura me rëndësinë e sektorit në tregun e punës, zbatimit të legjislacionit për të garantuar kushtet dhe standardet në punë, sfidat dhe iniciativat e përbashkëta në kuadër të zhvillimit ekonomik dhe luftës kundër informalitetit.

MFE njofton se faza e parë në kuadër të kësaj nisme, do të zhvillohet me punëmarrës të fasonerive dhe konkretisht takimi u organizua në drejtorinë rajonale Korçë, ku gjatë bashkëbisedimit me punonjës dhe drejtues të fasonerisë Korçë u prezantuan dhe shpërndanë informacione nëpërmjet fletëpalosjeve për të drejtat dhe detyrimet që rrjedhin nga legjislacioni i punës.

/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakMeta me kryeparlamentarin kuvajtian: Mirënjohje për ndihmën financiare
Artikulli tjetërBRUKSEL – Stoltenberg: Konflikti në Ukrainë drejt përkeqësimit