TIRANË, 24 shkurt/ATSH/ Zëvendëskryeministri, njëherësh dhe Ministër i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, Arben Ahmetaj deklaroi sot se Shqipëria qëndron pranë popullit të Ukrainës dhe e rreshtuar me të gjithë aleatët dhe anëtarët e NATO-s.
Duke folur për agresionin rus mbi Ukrainën, gjatë seancës së sotme të Kuvendit, Ahmetaj u shpreh se si vend i NATO-s i kemi marrë të gjitha masat për të qenë pranë aleatëve tanë.
Kërkesës së opozitës për rezolutë, Ahmetaj iu përgjigj se rezoluta është në praktikë dhe se qëndrimi i qeverisë dhe i shtetit është i qartë dhe me zë.
“Ne jemi vend i NATO-s dhe besoj se shumëkush këtu është informuar edhe nga mbledhja e fundit e Këshillit të Sigurisë së Shqipërisë, dhe si vend i NATO-s, ne i kemi marrë të gjitha masat për të qenë pranë aleatëve tanë. Rezoluta është në praktikë, qëndrimi i qeverisë dhe i shtetit është i qartë dhe me zë. Ne jemi pranë popullit të Ukrainës dhe të rreshtuar me të gjithë aleatët dhe anëtarët e NATO-s”, deklaroi Ahmetaj.
/a.a/r.e/












