TIRANË, 23 shkurt/ATSH/ Banka e Shqipërisë do të rrisë normën bazë të interesit përgjatë këtij viti, vendim ky që pritet të merret në muajt në vijim, i diktuar nga inflacioni në rritje.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko deklaroi sot se “në varësi të nivelit të inflacionit, do të detyrohemi të ndryshojmë kahun e politikës monetare, pra të fillojmë të rrisim normën e interesit”.
Gjatë seancës dëgjimore në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë, pas dekretimit nga Presidenti për një mandat të dytë në krye të BSH-së, Sejko tha se sidoqoftë pritshmëritë dhe faktorët makroekonomikë premtojnë për rritje ekonomike, kështu që ndryshimi i kahut të politikës monetare nuk do të ishte një pengesë për rritjen ekonomike.
“Një nga sfidat e bankave qendrore është përballja me një situatë të rritur inflacioniste pas pandemisë. Arsyet janë rritja e kërkesës dhe mospërgjigjja e ofertës solli rritjen e çmimeve të energjisë, gazit e naftës të cilat reflektohen në rritjen e çmimeve për të gjithë produktet. Analizat tregojnë se kjo goditje në inflacion do të jetë kalimtare. E gjithë eurozona e më gjerë pas krizës së 2008 ka qenë në një situatë inflacioniste të ulët. Kjo ka bërë që politika monetare të jetë lehtësuese me normal të ulëta. Ne kemi qenë në nivelin më të ulët historik, por shumë vende kanë qenë edhe me norma negative interesi. Kjo është bërë që të stimulohet investimi dhe kreditimi në funksion të rritjes ekonomike, pra të stimulohet paraja në qarkullim dhe të demotivohet mbajtja e kursimeve në bankë“, tha Sejko.
Sipas tij, situata pas pandemisë ndryshoi.
“U përballëm nga rritje e normës së inflacionit. Kemi një inflacion të importuar pasi ekonomia jonë është ekonomi tregu e vogël, por e hapur dhe jemi pa diskutim të ndikuar nga importet. Praktikisht niveli i inflacionit në eurozonë është më i lartë se te ne. Shifra e fundit është në nivelin 3.7 %. Pritshmëritë janë që ne do të kemi një rritje të inflacionit. Banka e Shqipërisë është përgatitur për të ndryshuar politikën monetare. Më herë kemi thënë se objektivi i politikës monetare në mënyrë të pavarur është i panegociueshëm. Nga ana tjetër politika monetare synon rritjen ekonomike. Por nuk kemi qenë akoma në një nivel inflacioni të përafërt vendeve të eurozonës që shkon në mbi 6 %. Kemi synuar të vijojmë me këtë politikë monetare lehtësuese për të vazhduar stimulin e ekonomisë, pasi ekonomia jonë ka akoma nevojë për stimul. Stimujt fiskalë janë më të limituar, për arsye të nivelit të lartë të borxhit. Stimulin monetar do të donim ta mbanim sa më gjatë të jetë e mundur, pa kompromentuar objektivin e inflacionit”, tha Sejko.
Guvernatori Sejko tha se politika monetare do të kthehet nga lehtësuese, në normalizuese.
“Në varësi të nivelit të inflacionit, do të detyrohemi të ndryshojmë kahun e politikës monetare, pra të fillojmë të rrisim normën e interesit. Më 23 mars do të kemi mbledhjen e radhës së Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Po presim të dhënat nga INSTAT dhe analizën e Departamentit të Politikës Monetare për të gjykuar nëse do të kemi rritje ose jo, por e sigurt është që gjatë këtij viti kahu i politikës monetare do të ndryshojë, pra ne do të fillojmë me kthimin e politikës monetare nga lehtësuese në normalizuese, drejt normalizimit, pasi deri në nivelin e normës së interesit 4 % politika monetare quhet lehtësuese. Mbi 4 % mund të quhet, ndoshta shtrënguese”, u shpreh Sejko.
Sejko theksoi se sidoqoftë pritshmëritë dhe faktorët makroekonomikë premtojnë për rritje ekonomike, kështu që ndryshimi i kahut të politikës monetare nuk do të ishte një pengesë për rritjen ekonomike.
“Kjo është e detyrueshme, ne do të preferonim të kishim një normë interesi sa më të ulët për të nxitur kreditimin, por sidoqoftë pritshmëritë dhe faktorët makroekonomikë premtojnë për rritje ekonomike, kështu që ndryshimi i kahut të politikës monetare nuk do të ishte një pengesë për rritjen ekonomike”, vuri në dukje ai.
/r.e/












