TIRANË, 22 shkurt /ATSH/ Industria agropërpunuese e verës në vendin tonë ka shënuar rritje të vazhdueshme në vitet e fundit, e nxitur edhe nga modelet e zhvillimit të agroturizmit në zona të ndryshme të Shqipërisë.
Zv.ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Dhimo Kote tha për ATSH-në se “ndryshe nga më parë kur Shqipëria prodhonte vetëm dy lloje verërash, sot vendi po sheh rilindjen e vreshtarisë, me mbi 10 mijë ha të mbjella dhe 60 kantina vere që prodhojnë mesatarisht në total, 918 tonë verë në vit”.
Sipas tij, mbi 60 % e industrisë së prodhimit të verës është e përqendruar në 6 rajone kryesore: Durrës, Berat, Elbasan, Vlorë, Tiranë dhe Shkodër, teksa numërohen rreth 300 mijë fermerë që kultivojnë rrushin në vreshta dhe pjergulla.
Kote tha se, qeveria po mbështet me programe të ndryshme zhvillimin e këtij sektori, që po zgjeron vitet e fundit eksportin e verës “Made in Albania” në tregjet e huaja.
“Shqipëria eksporton mbi 1 mijë hektolitra verë në vendet e rajonit dhe më gjerë, ndërsa vetë vreshtaria po nxit edhe zhvillimin e agroturizmit, një sektor me ndikim në rritjen e ekonomisë lokale, punësimin dhe të ardhurat familjare në zonat rurale”, tha Kote.
Zëvendësministri i bëri apel fermerëve të aplikojnë në thirrjen e katërt të programit IPARD II, që adreson subvencione deri në 50 % të vlerës së investimit për sektorin e vreshtarisë, prodhimin e verës dhe agroturizmin.
/r.e/













