Ballina Ekonomi

SHBA dhuron skaner me rreze X për doganën e Rinasit

TIRANË, 18 shkurt/ATSH/ Administratës Doganore Shqiptare iu dhurua nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Tiranë, një skaner me rreze X, për kontrollin e bagazheve në aeroportin ndërkombëtar të Rinasit.

Gjatë një ceremonie të organizuar me këtë rast, drejtori i përgjithshëm i Doganave, Genti Gazheli, falenderoi qeverinë amerikane, që nëpërmjet ambasadës kanë mbështetur ADSH në projekte të ndryshme.

“Një rol kyç për të gjitha organizatat moderne doganore mbetet kalimi i shpejtë i kufirit dhe lehtësimi i tregtisë. Skaneri me rreze X do të ndihmojë ndjeshëm në përmbushjen e detyrimeve të sigurisë për të garantuar qarkullimin e ligjshëm të udhëtarëve dhe mallrave në këtë pikë kufitare në më pak kohë”, u shpreh në fjalën e tij Gazheli.

Gazheli vlerësoi mbështetjen dhe bashkëpunimin e qeverisë amerikane për të lehtësuar lëvizjen legjitime të mallrave duke goditur korrupsionin dhe krimin. “Ne jemi të vetëdijshëm se ndërsa teknologjia dhe pajisjet mund të jenë shtesa të rëndësishme për çdo sistem menaxhimi, ato janë efektive vetëm nëse inkorporohen siç duhet në përpjekjet e planifikuara operacionale, tha kreu i Doganës Shqiptare, duke shtuar, se administrata doganore është e përkushtuar të vazhdojë të bëjë në të gjitha pikat e kalimit kufitar”, tha ai.

Ndërsa Ben Rockwell, drejtor i INL, vuri theksin në bashkëpunimin dypalësh.
“SHBA dhe Shqipëria bashkëpunojnë në kontrollin e fluksit të fondeve, mallrave dhe kontrabandës ilegale. Dogana është maja e shtizës për kapjen e këtyre flukseve, qoftë këtu në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, pika kryesore e hyrjes së Shqipërisë, në kufijtë me fqinjët, ose në portet detare si Durrësi”, u shpreh ai.

“Ambasada e SHBA-së është e kënaqur t’i dorëzojë doganës një skaner të ri me rreze X prej 86 mijë dollarësh, të prodhuar nga kompania amerikane Rapiscan, në emër të taksapaguesit amerikan. Kjo pajisje do të lejojë doganën në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës të kontrollojë bagazhet në mënyrë më efikase dhe efektive, duke rritur aftësinë për të identifikuar kontrabandën dhe duke përshpejtuar procesin për udhëtarët legjitimë”, u shpreh përfaqësuesi i Ambasadës amerikane në Tiranë.

Rockwell theksoi, se suksesi i doganës do të bazohet në punën e palodhur të njerëzve të saj.

“Me ndershmëri, integritet dhe përkushtim ndaj misionit të tyre, ata do të kenë sukses. Kjo është ajo që ne mbështesim”, u shpreh ai.

/a.a/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakREPUBLIKA ÇEKE – Qeveria e re prezanton planin e shtrënguar të shpenzimeve
Artikulli tjetërVARSHAVË – Polonia blen 250 tanke amerikane ”Abrams”