Ballina Aktualitet

Nuk morën shumicën në Kuvend, rrëzohen kandidatët nga radhët e pedagogëve për KLP e KLGJ

TIRANË, 17 shkurt/ATSH/ Kuvendi miratoi në seancën e sotme plenare projektvendimin “Për miratimin e listës së dytë në bllok të kandidatëve të përzgjedhur për anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor nga trupa e pedagogëve të fakulteteve të drejtësisë dhe të Shkollës së Magjistraturës, sipas ligjit “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, i cili mori 80 vota pro, asnjë kundër dhe 2 abstenim.

Po ashtu Kuvendi miratoi projektvendimin “Për miratimin e listës së dytë në bllok të kandidatëve të përzgjedhur për anëtarë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë nga trupa e pedagogëve të fakulteteve të drejtësisë dhe të Shkollës së Magjistraturës, i cili mori 75 vota pro, 1 kundër dhe 5 abstenim.

Për shkak të mosarritjes së shumicës së kërkuar, të dyja listat në bllok nuk u miratuan dhe çështja iu rikthye nënkomisionit, për të miratuar listën e re, sipas procedurës së parashikuar në ligj.

Seanca e sotme miratoi edhe projektvendimin “Për zgjedhjen e gjashtë anëtarëve të Autoritetit të Mediave Audiovizive”, sipas votimit të mëposhtëm: Joana Allushi u zgjodh me 108 vota pro, asnjë kundër dhe 3 abstenim; Aurela Bicja u zgjodh me 99 vota pro, 1 kundër dhe 6 abstenim; Jetmir Halilaj u zgjodh me 101 vota pro, 2 kundër dhe 5 abstenim; Gjergji Hamiti u zgjodh me 96 vota pro, 2 kundër dhe 7 abstenim; Desada Metaj u zgjodh me 99 vota pro, 9 kundër dhe 1 abstenim dhe Besian Zogaj u zgjodh me 101 vota pro, 2 kundër dhe 5 abstenim. /m.m/a.a/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBRATISLAVË – Ushtarët amerikanë mbërrijnë në Sllovaki për manovrat ushtarake
Artikulli tjetërRama për DRSHTRR Laç: Çdo ditë me një punë të re në rrugën e ndryshimit