TIRANË, 14 shkurt /ATSH/ Kuvendi i Shqipërisë reagoi sot në lidhje me situatën e vështirë në Ukrainë.
Kuvendi i Shqipërisë me anë të një deklarate shprehet se, mbështet sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës.
“Kuvendi i Shqipërisë, në këtë situatë të vështirë, dëshiron të ritheksojë mbështetjen e Shqipërisë ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës dhe të përsërisë thirrjen ndaj Rusisë për të shpërshkallëzuar dhe zgjidhur situatën në mënyrë diplomatike”, thuhet në deklaratën e Kuvendit.
Më herët edhe Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme deklaroi sot mbështetjen e Shqipërisë për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës.
Në një deklaratë për shtyp, MEPJ ritheksoi kërkesën që Rusia të shtensionojë dhe të zgjidhë situatën në rrugë diplomatike.
“Në këtë situatë të vështirë dëshirojmë të riafirmojmë edhe një herë mbështetjen e Shqipërisë për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës. Ne ritheksojmë kërkesën tonë që Rusia të shtensionojë dhe të zgjidhë situatën në rrugë diplomatike”, thuhet në deklaratën e publikuar nga MEPJ.
/a.a/r.e/























