TIRANË, 9 shkurt /ATSH/ Banka e Shqipërisë ka përgatitur një rregullore të rëndësishme në mbështetje të ligjit të ri “Për shërbimet e pagesave”.
Sipas BSH-së, projektrregullorja “Për autentifikimin e thelluar të klientit dhe standardet e përbashkëta, të hapura dhe të sigurta të komunikimit”, ka si objekt përcaktimin e kërkesave që duhet të plotësohen nga ofruesit e shërbimeve të pagesave, me qëllim zbatimin e masave të sigurisë, për zbatimin e procedurës së autentifikimit të thelluar të klientit.
Gjithashtu, rregullorja parashikon vendosjen e standardeve të sigurta të komunikimit ndërmjet ofruesve të shërbimeve të ndryshme të pagesës.
Ai mundëson që klientët të realizojnë shërbime pagesash nga llogaria e tyre bankare edhe nëpërmjet institucioneve të tjera financiare dhe jo domosdoshmërisht nëpërmjet bankës ku kanë llogarinë. Mbi këtë bazë, çdo zotërues i një llogarie bankare mund të marrë informacion mbi gjendjen e llogarisë dhe të iniciojë pagesa edhe nga një institucion financiar i ndryshëm nga banka, i licencuar për këto shërbime.
Autentifikimi i thelluar nënkupton kriteret e sigurisë që duhen përmbushur, në mënyrë që klienti të aksesojë llogarinë e tij bankare nëpërmjet një institucioni tjetër financiar.
/r.e/























