TIRANË, 3 shkurt /ATSH/ Kopshti “Varosh” në Krujë po rindërtohet sipas parametrave më bashkëkohorë nga i cili do të përfitojnë 47 fëmijë, 3 edukatore dhe rreth 2000 banorë të atij komuniteti.
Investimi po kryhet me mbështetjen e programit “EU4Schools” dhe punimet po vijojnë.
PNUD në Shqipëri u shpreh se procesi i rindërtimit të këtij objekti arsimor ka filluar në maj të vitit të kaluar, ndërsa pritet që fëmijët të rikthehen në mjediset e reja brenda muajit mars 2022.
“Rindërtojmë më Mirë” dhe “Rindërtojmë së bashku” janë edhe parimet themelore mbi të cilët UNDP Albania po zbaton Programin “EU4Schools”, financuar nga BE me një vlerë prej 75 milionë euro për rindërtimin apo riparimin e 63 objekteve arsimore në 11 bashkitë më të prekura nga tërmeti shkatërrues.
Afërsisht 24,000 fëmijë, nxënës e mësues janë përfituesit e drejtpërdrejtë të këtij investimi madhor për të ardhmen e brezave të rinj të Shqipërisë, të cilët do të gëzojnë mjedise më dinjitoze, më të sigurta e më moderne.
/j.p/r.e/













