TIRANË, 27 janar /ATSH/ Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka tha se “ratifikimi i Marrëveshjes së Financimit me Komisionin e BE, në kuadër të Instrumentit të Asistencës së Paraanëtarësimit IPA II, është një moment kulmor për Shqipërinë që prek sektorë prioritarë të zhvillimit të vendit”.
Sipas saj, programi ofron një mbështetje domethënëse për këta sektorë, në shumën e 105 421 991 eurove nga të cilat, kontributi maksimal i Bashkimit Evropian arrin në 103 milionë euro. Këto janë fonde, që vijnë në formën e granteve në mbështetje të një sërë prioritetesh të identifikuara në Dokumentin Strategjik Kombëtar 2014–2020.
“Paketa IPA 2020 parashikon kontribut të rëndësishëm në mbështetjen e reformave të rëndësishme për rritjen e pjesëmarrjes së institucioneve shqiptare në programet dhe agjencitë e BE duke dhënë një kontribut të posaçëm në arritjen e objektivave të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA), veçanërisht ato që lidhen me arsimin dhe trajnimin, bashkëpunimin në kërkim dhe zhvillimin teknologjik”, tha Xhaçka.
Gjithashtu vijoi ajo, paketa jep një mbështetje veçanërisht të vyer në mbështetje të forcimit të shtetit të së drejtës qoftë përmes rritjes së kapaciteteve të organeve ligjzbatuese, hetuese apo të institucioneve të pavarura të drejtësisë, por edhe duke adresuar disa nga çështjet më të mprehta, siç janë ato që lidhen me të drejtat e pronësisë, ku do të mbështesë reformën në sektorin e tokës.
Xhaçka nënvizoj tri elementë të kësaj pakete, “së pari, ndihmën për Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit që jep një mbështetje shumë të rëndësishme për reformën në drejtësi. Ku konkretisht, ky veprim i IPA2020 do t’i lejojë OMN të përmbushë mandatin e tij kushtetues për të monitoruar procesin e Vetingut në përputhje me Aneksin e Kushtetutës së Shqipërisë të rishikuar të vitit 2016. Së dyti, mbështetje për përballimin e pasojave të krizës së shkaktuar nga COVID-19, duke garantuar që bizneset vulnerabël dhe shtresat në nevojë të përfitojnë nga mbështetja ekonomike. Së treti, mbështet bashkitë duke ju dhënë atyre akses tek kjo paketë çka do të thotë jo vetëm më shumë projekte e më shumë punë për qytetarët, por edhe forcim të kapaciteteve dhe mundësi që paprecedenta për njësitë tona të qeverisjes vendore”.
“Do t’i ftoja kolegët që ta mbështesin me votë këtë marrëveshje që jep një mbështetje shumë të vyer e të nevojshme financiare, duke thelluar njëkohësisht bashkëpunimin e integrimin mes vendit tonë dhe BE”, tha Xhaçka.
/a.a/r.e/























