TIRANË, 27 janar /ATSH/ Akademia e Shkencave e Shqipërisë, bashkëhartuese e ligjit “Për Ditën e Kujtesës”, organizoi sot veprimtarinë “Empati në kohë rreziku: shqiptarët dhe hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore”, me pjesëmarrjen e studiuesve historianë dhe akademikë.
Në fjalën e hapjes, akad. Skënder Gjinushi theksoi se shqiptarët dhe hebrenjtë kanë bashkëjetuar me mirëkuptim gjatë dymijë vjetëve, janë dy popuj liridashës dhe kanë pasur ëndrrën e përbashkët për të pasur shtetin e tyre kombëtar. Kjo shpjegon dhe sjelljen njerëzore të shqiptarëve gjatë luftës.
Ai përmendi që përfundimi pozitiv, mosdorëzimi i hebrenjve, nuk duhet të shpërqendrojë vëmendjen ndaj fateve individuale, që kanë ndërlikuar jetën e tyre.
“Akademia e Shkencave e Shqipërisë që prej më shumë se dy dekadash e ka kthyer në një kauzë të vetën çështjen e ndriçimit të historisë së bashkëjetesës dymijëvjeçare të shqiptarëve e hebrenjve këtu ku jemi”, tha Gjinushi.
“Një vit më parë Asambleja jonë miratoi përkufizimin e gjithëpranuar të Holokaustit në kohën e sotme dhe aderoi në nismën ndërkombëtare ‘Combat Anti-Semitism’. Me këtë vendim Akademia jonë e Shkencave rikonfirmoi qëndrimet e veta koherente e të vendosura në lidhje me krimet historike që janë ushtruar ndaj hebrenjve gjatë Shoah, duke vlerësuar se krimet çnjerëzore që pësuan ata gjatë Luftës së Dytë Botërore për shkak të urrejtjes racore nuk janë një dukuri që i takon historisë, por një rrezik që shfaqet herë pas herë në formën e ringjalljes së krimeve kolektive dhe urrejtjes racore, etnike, fetare e kulturore”, theksoi Gjinushi.
“Si bashkëhartuese e Ligjit Për shpalljen e “Ditës së Kujtesës” (2003); si organizatore e disa konferencave shkencore kombëtare e ndërkombëtare kushtuar rëndësisë që ka nxjerrja e mësimeve prej Holokaustit (në Tiranë, në Prishtinë, në Korçë, në Berat, në Elbasan e gjetkë); si institucion që ka dhënë kontributin e tij të përvitshëm, duke bashkëpunuar vijimësisht prej taskforcës ndërkombëtare që caktoi Forumi i Stokholmit (janar 2000) për një profilaksi të qendrueshme ndaj krimeve kundër Njerëzimit deri tek Forumi i vjetshëm i Malmoes Remember and React për një aktualizim të veprimit kundër antisemitizmit; si botuese e disa studimeve shkencore të anëtarëve dhe bashkëpunëtorëve të saj për historinë e mbrojtjes dhe të shpëtimit të hebrenjve prej shqiptarëve gjatë Luftës së Dytë Botërore, Akademia e Shkencave e Shqipërisë i konsideron veprimet e saj në dobi të ruajtjes dhe pasurimit të kujtesës historike për fatin e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore si hapa krejt të natyrshëm dhe në koherencë të plotë me të shkuarën e popullit shqiptar, po aq sa edhe me misionin e vet shkencor, ligjor e qytetar”, tha Gjinushi.
“Ishte një arritje cilësore që gjatë vitit të kaluar Ministria e Arsimit e Izraelit miratoi librin e profesorit dhe librin e studentit kushtuar historisë së hebrenjve gjatë Holokaustit, duke pasur si model të narrativës historike fatin e tyre në Shqipëri. Ne shpresojmë që ky tekst, duke filluar prej vitit akademik vijues, të bëhet pjesë e programeve shkollore në Shqipëri, siç është premtuar solemnisht nga autoritetet qeverisëse. Njëherësh përshëndesim plotësimin, këto kohët e fundit, të dy librave të miratuar edhe me një shtojcë të rëndësishme të historisë së mbrojtjes së hebrenjve në Kosovë gjatë periudhës nazifashiste”, theksoi ai.
“Ligji për Ditën e Kujtesës, që u bashkëhartua dy dekada më parë nga Akademia e Shkencave, konfirmoi një realitet specifik në historinë evropiane e botërore: realitetin e një vendi që nuk dorëzoi asnjë hebre në duart e nazifashistëve, realitetin e një vendi që u dha strehë disa mijëra hebrenjve të rrezikuar me zhdukje fizike në vendet fqinje e në shkallë rajonale. Shqipëria dhe shqiptarët morën në mbrojtje jo thjesht hebrenjtë e vet, hebrenjtë rezidentë, që ishin rreth 200 gjithsej, po mbi 15-fishin e tyre, ardhur nga rajonet më të rrezikuara të Evropës”, u shpreh Gjinushi.
“Me miratimin e këtij ligji, një standard euro-amerikan me karakter historik-reflektues, Shqipëria analogoi me botën e përparuar një standard ligjor të rëndësishëm, një referencë tjetër shpirtërore, duke konfirmuar e promovuar kështu një cilësi të shkëlqyer të botës së saj, një virtyt popullor që bën pjesë në kodin e një bashkësie që beson në virtytin njerëzor dhe mbështetet në kodin e tij. Do të dëshironim që atë shpirt humanist që populli shqiptar ka shprehur jo vetëm ndaj hebrenjve, por ndaj tjetrit në përgjithësi kur ka qenë i rrezikuar ose në moment dobësie, ta shprehte edhe gjithë veprimtaria tjetër e përfaqësuesve të tij, duke përfshirë atë politike”, tha ndër të tjera Gjinushi.
Ambasadori i Izraelit, Noal Gal, i pranishëm në veprimtari, vlerësoi qëndrimin e shqiptarëve ndaj hebrenjve dhe interesimin e vijueshëm të Akademisë për ndriçimin e kësaj faqe të historisë edhe në anët e saj të imëta.
Të pranishmëve iu paraqit dokumentari “The history of Jews in Albania”.
Një ekspozitë burimesh arkivore me mbi 250 dokumente e foto bëri të njohur në mënyrë të ilustruar historinë e pranimit të hebrenjve para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore.
/j.p/r.e/














