TIRANË, 25 janar /ATSH-I. Vata/ Zv.ministrja e Drejtësisë, Adea Pirdeni ka folur sot në Komisionin e Ligjeve për projektligjin “Për profesionin e ndërmjetësit të pasurive të paluajtshme”.
Ajo ka bërë përpara deputetëve një paraqitje të risive të këtij projektligji si dhe synimeve e plotësimit të angazhimeve.
“Kjo nisëm ligjore, vjen në vazhdën e plotësimit të angazhimeve në nivel të lartë politik që ka ndëmarë Shqipëria për të zbatuar rekomandimet e Taskforcës për Veprimin Financiar (FATF) dhe MONEYVAL. Raporti MER 2018 ka cilësuar sektorin e pasurive të paluajtshme me rrezik të lartë për pastrimin e parave. Gjithashtu, në raportet e vlerësimit të ICRG është ritheksuar në mënyrë të vazhdueshme nevoja për një kuadër ligjor që mundëson parandalimin e depërtimit të elementëve kriminal përgjatë të gjithë zinxhirit të kryerjes së transaksioneve mbi pasuritë e paluajtshme, përfshirë këtu edhe rregullimin e rolit të ndërmjetësit e pasurive të paluajtshme”, ka thënë Pirdeni.
Ajo ka renditur më pas kriteret që duhet të përmbushin kandidatët për të ofruar shërbimin e ndërmjetësit të pasurive të paluajtshme, si dhe mekanizmat kontrollues për të shmangur abuzimet.
Mes risive, Pirdeni ka përmendur certifikimin, si parakusht për ushtrimin e profesionit. Ata që dëshirojnë ta kryejnë këtë profesion do të jenë të detyruar të kryejnë një program trajnimi, parashikimi i ngritjes së një regjistri elektronik të të dhënave.
Gjithsesi theksoi Pirdeni, meqë do të nisë operimi në një fushë që deri më sot ka vepruar krejtësisht jashtë rregullave, do të ketë një periudhë tranzitore.
Të enjten pritet që ky projektligj të kalojë në seancë plenare.
/r.e/













