SHKUP, 21 janar /ATSH-MIA/- Kryeministri Dimitar Kovaçevski zhvilloi sot pasdite një bisedë telefonike me presidenten e Komisionit Evropian (KE) Ursula von der Leyen, e cila e uroi atë për zgjedhjen në krye të qeverisë, duke i uruar suksese, sipas qeverisë.
“Kryeministri Kovaçevski falënderoi von der Leyen për mbështetjen e saj ndaj Maqedonisë së Veriut si presidente e Komisionit Evropian. Integrimi evropian mbetet një nga prioritetet kryesore të qeverisë së re”, tha Kovaçevski gjatë bisedës me von der Leyen.
Ai gjithashtu e informoi presidentin e KE-së për aktivitetet e qeverisë në vijim, masat dhe politikat e marra për përballimin e krizës energjetike si dhe masat ekonomike të qeverisë.
Duke diskutuar vizitën e kryeministrit bullgar Kiril Petkov këtë javë në Shkup, ata e quajtën atë një hap pozitiv drejt tejkalimit të dallimeve dhe mirëpritën fokusin në projekte dhe aktivitete që konsiderohen të rëndësishme për të ardhmen.
Kryeministri Kovaçevski rikonfirmoi edhe një herë qëndrimet maqedonase lidhur me gjuhën dhe identitetin maqedonas.
“Presidentja e KE-së përshëndeti dialogun e vendosur mes kryeministrave të dy vendeve duke theksuar se Brukseli po e mbështet fuqishëm këtë proces.
Ajo insistoi se Komisioni do të ndihmojë për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare me Republikën e Maqedonisë së Veriut”, sipas komunikatës.
Kryeministri Kovaçevski dhe Ursula von der Leyen ranë dakord që së shpejti të takohen në Bruksel. //a.i/























