TIRANË, 13 janar /ATSH/ Drejtoresha e ISHP-së, Eugena Tomini, tha se, “Omicron ka një shkallë më të lartë transmetimi, por vaksinimi të mbron nga manifestimi i simptomave të rënda”.
Gjatë një interviste televizive, duke folur për situatën e COVID-19 në vendin tonë dhe përhapjen e variantit Omicron, Tomini bëri të ditur se “ka një incidencë të lartë të rasteve pozitive dhe mosrespektimi i masave përgjatë festave, ka ndikuar në shfaqjen e një incidence të tillë. Por kemi dhe prezencë të gripit stinor”.
Ajo tha se, Omicron ka treguar se ka transmetueshmeri më të lartë, por nëse je i vaksinuar më të dyja dozat, mbrohesh nga evitimi i rasteve të rënda dhe vdekjeve.
“Nëse i krahasojmë, si ta kuptojmë se jemi me Delta apo Omicron, mund të themi se të dyja variantet dallohen nga simptoma në shije e nuhatje. Tk Omicron është thuajse në nivelin zero. Te Delta, kur largoheshin këto ndjesi, dyshonim që mund të ishin me Covid. Me variantin Delta kemi patur më shumë shtrime spitalore, në rastin e Omicron kemi një nivel të qëndrueshëm”, tha Tomini.
“Në lidhje me rastet e vdekjes, është situatë tepër komplekse. Prekja e tij në nivele të mëdha, bashkëshoqërimi me sëmundje të tjera kronike, agresiviteti i virusit, apo dhe lënia në të ashtuquajturën kujdes familjar, bëhen faktor për rastet fatale”, tha Tomini.
Ajo tha se qytetarët mund të infektohen në të njëjtën kohë me lloje të ndryshme të virusit.
“Mund të ndodhë edhe prezenca e gripit bashkë me Covid. Kemi në aktivitet të gjerë të gripit në vend. Shfaqja e gripit këtë vit, i përjashtuar gjatë 2021, tregon edhe një element të rëndësishëm, që po ngjallen viruse respiratore, ndaj vaksinimi është i rëndësishëm”, deklaroi Tomini.
/j.p/r.e/























