TIRANË, 8 janar /ATSH/ Byroja e Çështjeve Konsullore në Departamentin amerikan të Shtetit ka reaguar lidhur me protestën e dhunshme zhvilluar sot nga ish-kryeministri Sali Berisha në selinë e PD-së.
Me anë të një postimi, qytetarët njoftohen që të evitojnë zonën ku është zhvilluar protesta si dhe të qëndrojnë në alert për tubime të tjera të mundshme që mund të regjistrohen në zona të tjera të qytetit.
“Qytetarët amerikanë njoftohen se protesta në selinë e Partisë Demokratike është përshkallëzuar në dhunë të rëndë, me incidente të forcës fizike dhe gazit lotsjellës. Qytetarët amerikanë këshillohen të shmangin zonën përreth selisë së Partisë Demokratike dhe të jenë të vetëdijshëm në mjedise ku mund të shfaqen incidente në pjesë të tjera të qytetit.
Qytetarët amerikanë këshillohen të shmangin çdo tubim të madh në qytet. Ndërsa shumë ngjarje të mëdha publike mund të zhvillohen në mënyrë paqësore, disa situata mund të ndryshojnë shpejt dhe në mënyrë të paparashikueshme dhe pjesëmarrësit mund të zhvendosen në pjesë të tjera të qytetit. Monitoroni median lokale për informacionet më të fundit dhe ndiqni udhëzimet e autoriteteve lokale të zbatimit të ligjit, sipas deklaratës së Departamentit amerikan të Shtetit. //a.i/












