TIRANË, 7 janar /ATSH/ Në ankandin e parë të vitit 2022 norma e interesit (yield-et) e bonove të thesarit paraqitet e qëndrueshme.
Banka e Shqipërisë bëri të ditur se, në ankandin e së enjtes u shitën 8.5 miliardë lekë bono thesari, ndërsa u ofrua shuma totale në vlerën 10.6 miliardë lekë.
Bonot me maturim 12-mujor u emetuan me një yield mesatar të ponderuar prej 1.57 %, po aq sa në ankandin e mëparshëm.
Sipas BSH-së, tregu financiar mbetet “i imunizuar” ndaj inflacionit në rritje dhe pritshmërive për rritje të normave të interesit.
Në mbledhjen e fundit të tij, Këshilli Mbikëqyrës i BSH-së vlerësoi se përmbushja e objektivit të inflacionit në afatin e mesëm do të kërkojë normalizimin gradual të politikës monetare që pritet të fillojë gjatë tremujorëve në vijim të vitit 2022 dhe do të krijojë premisa për një rritje më të qëndrueshme ekonomike.
Për shkak të këtyre projeksioneve, është e pritshme që në vazhdim të ketë një rritje graduale e yield-eve të instrumenteve të borxhit qeveritar.
/j.p/r.e/























