Ballina Aktualitet

Berisha: Protesta e nesërme paqësore, dyert e PD-së do të hapen

TIRANË, 7 janar /ATSH-I.Vata/ Ish-kryeministri Sali Berisha së bashku me Komisionin e Rithemelimit të PD-së mbërriti sot në selinë e Partisë Demokratike për të zhvilluar mbledhjen e radhës, por nuk arriti të hynte për shkak të dyerve të mbyllura.

Në një deklaratë për mediet, Berisha deklaroi nga selia e PD-së se protesta do të jetë paqësore dhe se do ta nxjerrë Bashën me pekule nga selia.

“Prej disa ditësh shqiptarët po përjetojnë, po ndjekin në mënyrë të pabesueshme zhvillime të denja si romanet e Franc Kafkës, apo të realizmit fantastik të Garsia Markezit, nëse do t’i japim sens humori. Skenat e një njeriu i cili kalon nga skandali në skandal. Nga akte e turpshme në akte të tjera po kaq të turpshme. Njeri që dëshmon se nuk i ka mbetur qoftë edhe një grimcë më e vogël e integriteti moral dhe politik, e integritetit qytetar. A mundet kush të imagjinonte se një ish-lider i ri do të mbyllte karrierën e tij politike në vend të nënshtrimit ndaj verdiktit të 44 mijë anëtarëve të partisë së tij me blindimin, shndërrimin në bunker-burg të selisë së PD-së, me bllokimin e hyrjeve në seli për deputetët e PD-së, me mbushjen e kësaj selie me kriminelë që u rëndojnë mbi shpatulla vrasje njerëzish, trafiqe kriminale, akte seriale, gjer te fanatizma dhe ekstremizma të dënueshme”, tha Berisha.

Berisha iu ka bërë thirrje demokratëve dhe anëtarëve të PD-së të bashkohen në protestën paqësore për të çliruar shtëpinë e lirisë.

“Me këtë rast, dua të sqaroj çdo qytetar se qëndrimi ynë nuk ka të bëjë me një zyrë. Nuk ka të bëjë me një tryezë, dhomë karrige, por ka të bëjë me zbatimin e parimit më themelor mbi të cilën ndërtohen organizata e lira, ndërtohen shoqëritë e lira, vendet e lira. Ka të bëjë me atë parim sipas të cilit shumica vendos, pakica respektohet. Në qëndrimin e  deputetit Basha del e qartë se ai si pakicë kërkon të dhunojë shumicën, kërkon të konfiskojë shumicën në një akt marrëzi antidemokratike, ndërtesën e saj, shtëpinë e demokratëve, duke e trajtuar atë njëlloj sikur ta ketë pronë personale. Kemi të bëjmë me një parim themelor të demokracisë dhe defekte me një përpjekje të jashtëzakonshme, por dhe teje kriminale për asgjësimin e pluralizmit politik në Shqipëri. Për shndërrimin e pluralizmit politik në brava dhe dyer të blinduara për të mbrojtur individ që s’kanë asnjë lloj morali politik apo njerëzor. Ndaj dhe unë ftoj të gjitha anëtarët e PD-së, 44 mijë anëtarët e PD-së por dhe të gjithë të tjerët të cilët për një arsye apo një tjetër nuk morën pjesë në referendum. Të gjithë ata që firmosën shkarkimin e ish-kryetarit Basha për dhunimin flagrant të statutit të parimeve dhe të çdo lloj norme tjetër demokratike në PD. Ftoj të gjithë anëtarë e PD-së të bashkohen për të marrë në dorëzim shtëpinë e tyre, për ta shndërruar në shtëpi lirie me një protestë paqësore, në një ngjarje madhore të revolucionit tonë paqësor”, tha Berisha.

Po ashtu, Berisha garantoi të gjithë punonjësit të ndërtesës së PD-së se protestuesit nuk kanë asnjë hatërmbetje ndaj tyre ndaj të qëndrojnë të qetë. “Problemi i vetëm që kanë protestuesit është hapja e dyerve të kësaj shtëpie dhe natyrisht çlirimi i saj nga  pengu i Edi Ramës, peng Basha”, vijoi ai.

“Nesër, ftoj të gjithë deputetë e PD-së të jenë këtu me anëtarët e tyre dhe të bashkohen këtu dhe të mos qëndrojnë asnjë minutë me atë që partinë e shndërroi në një parti blindesh, burgu, bunkeri dhe bravash”, tha Berisha.

“Nuk ka asnjë diskutim se dyert do të hapen, që selia do iu rikthehet demokratëve dhe nuk ka blindë apo beton që mund të pengojë demokratët shqiptarë si njerëz të lirë të rikthejnë këtë ndërtesë të lirisë. Çdo blindë që është vendosur në ndërtesë do ngarkohet në kamion dhe do të dërgohet afër shtëpisë së Lulzim Bravës t’i përdorë. Këtu blinde nuk mund të ketë. Kjo nuk është ndërtesë e një organizate terroriste, por është ndërtesë e PD-së”, tha Berisha.

“Bashën do e nxjerrim me pekule nga selia e PD-së”, tha në fund Berisha.

/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBRUKSEL – Inflacioni i eurozonës në nivele rekord
Artikulli tjetërBardhi: Berisha nuk fshehu sot skenarin e dhunës ndaj PD-së