TIRANË, 6 dhjetor/ATSH-Maela Marini/ Mjeku epidemiolog Ilir Alimehmeti u shpreh sot në një intervistë televizive se, “kalkulimet janë që në pranverë duhet të kemi dalë nga faza akute e pandemisë”.
Duke folur për situatën e pandemisë në vend, Alimehmeti tha se “numri i rasteve realisht është më i shtuar, por ne duhet të fokusohemi te gjendja klinike e pacientëve, shtrimet në spitale dhe format e rënda”.
“Fakti është që me variantin Omicron risku për hospitalizim është goxha më ulët dhe risku i humbjes së jetës po ashtu. Ka më pak risk për forma të rënda. Ne do ta shohim efektin disa ditë më pas, pasi Omicron ka hyrë në vendin tonë disa javë më parë”, tha Alimehmeti.
Sipas tij, “një numër i rëndësishëm i pacientëve sot në spital janë infektuar në kohën kur dominonte varianti Delta”.
Por, Alimehmeti shtoi se nga shtetet e tjera kemi parë se spitalet nuk patën të njëjtën mbushje si me variantin Alfa apo Delta.
Megjithatë, mjeku epidemiolog theksoi se edhe nga Omicron kategoria e personave më të riskuar janë të moshuarit, personat me sëmundje të tjera dhe të pavaksinuarit apo personat që nuk e kanë kaluar më parë, të cilët duhet të vaksinohen.
“Me Omicron kemi parë se asnjë sistem shëndetësor nuk ka kolapsuar, siç ka ndodhur me variantin Alfa apo Delta. Afrika e Jugut deklaroi se është 80 % më i ulët risku për t’u shtruar në spitale me Omicron, krahasuar me Deltën. Edhe studimet konfirmojnë se është një variant më i transmetueshëm, sepse shumohet shumë në grykë dhe hundë, por shumohet 10 herë më pak në mushkëri, ndaj nuk jep forma të rënda. Për format e rënda lajmi i mirë është që risku është nga 67 % deri në 80 % më i ulët”, tha ai.
Lidhur me masat mbrojtëse, Alimehmeti theksoi se “ato janë marrë gjithmonë në varësi të situatës epidemiologjike”.
“Nëse spitalet shkojnë drejt tejmbushjes rishikohen masat. Evitimi i grumbullimeve të mëdha mbetet masa kyçe. Për format e rënda është vaksina e cila duhet të bëhet me dëshirë dhe jo me detyrim, sepse del fenomeni i vaksinimeve fiktive, që duhet dekurajuar me çdo formë”, tha ai.
/a.a/r.e/













