TIRANË, 23 dhjetor /ATSH/ Banka e Shqipërisë ka vendosur një tavan limit mbi normat e interesit të institucioneve financiare jobanka, që njihen si mikrofinancë.
BSH-ja bën të ditur se, kjo masë është marrë për të kufizuar si normat e interesit ashtu edhe penalitetet (interes-vonesat) për të mos rënduar pafundësisht klientët e bankave. Pra, për të bërë një zbutje të çmimit të kredisë nga këto institucione.
Rregullorja do të hyjë në fuqi vitin që vjen.
Ekspertët e BSH-së po konsultohen me institucionet e mikrokredisë dhe janë duke punuar dhe vlerësuar rregulloren me qëllim rregullimin e tregut në këtë drejtim.
Kredia për institucionet mikrofinanciare shënoi vlerën 13.3 miliardë lekë në fund të muajit 10-mujorit të këtij viti.
Banka e Shqipërisë bën të ditur se, totali i kredisë regjistroi një rritje prej 1.7 % që nga fillimi i vitit dhe pothuajse të njëjtën vlerë krahasuar me një vit më parë.
Statistikat e deritanishme tregojnë se huadhënia e institucioneve financiare jo banka është në përmirësim pozitiv dhe portofoli ka arritur afërsisht në nivelet që kishte para pandemisë. /a.a/























