Ballina Ekonomi

BSH: Masa për zgjerimin e përdorimit të lekut në ekonomi

TIRANË, 23 dhjetor /ATSH/ Banka e Shqipërisë vijon zbatimin e masave për zgjerimin e përdorimit të monedhës kombëtare në sistemin financiar dhe në ekonomi, (deeuroizimi).

Rritja e rezervës valutore, likuiditetit financiar dhe transparenca ndaj publikut lidhur me monedhën me të cilën merret kredia, janë tre nga pikat kryesore të planit strategjik të BSH-së, për deeuroizimin.

Banka Qendrore thekson se, masat kanë synuar ndërgjegjësimin e klientëve për të marrë kredi bankare në atë monedhë që kanë dhe të ardhurat e tyre. Pasi shpeshherë në të kaluarën është vënë re një tendencë për ta marrë kredinë në euro, kur të ardhurat janë të gjeneruara në lek.

Për të shmangur rrezikun e kursit të këmbimit, BSH-ja po bashkëpunon ngushtë me bankat e nivelit të dytë dhe institucionet financiare jo banka, në mënyrë që klientët të jenë të qartë.

BSH-ja vëren se, në vendin tonë ka një nivel të lartë euroizimi si në sistemin financiar ashtu dhe në ekonominë reale. Por procesi i deuroizimit synon të ketë një menaxhim sa më të mirë, por jo shmangien e monedhës euro. Pasi euro do të vazhdojë të përdoret.

Banka Qendrore thekson se, “si pasojë e planit të masave për deuroizimin shihen  rezultate, veçanërisht në kahun e kredisë bankare ku është rritur kredia në monedhën vendase. Por kjo gjë nuk mund të thuhet në kahun e depozitave, pasi depozitat në euro kanë vazhduar të rriten”.

Në planin e masave bën pjesë edhe bashkëpunimi me Ministrinë e Financave për zbatimin e ligjit, që kërkon kryerjen e pagesave në lekë në tregtinë e brendshme, pasi monedha kombëtare në Shqipëri është leku dhe nuk ka nevojë të përdoret euro në shitblerjen e produkteve brenda territorit të Shqipërisë.

“Në çdo vend shitblerja në rrjetin e tregtisë me pakicë dhe shumicë bëhet në monedhën vendase, ndërsa monedhën e huaj këmbehet në zyrat e këmbimit valutor ose në bankë, pra nuk përdoret për shitblerjet”, thekson BSH-ja.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakAgalliu: Qeveria rrit indirekt çmimet e energjisë për qytetarët
Artikulli tjetërBino: Mbulesa vaksinale në vend po rritet, rreth 50% e popullatës target