LONDËR, 23 dhjetor /ATSH-DPA/ Shërbimi Shëndetësor Kombëtar i Britanisë së Madhe (NHS) është në rrezik për shkak të rritjes së rasteve me Omicron, paralajmëroi sot ministri i Shëndetësisë Sajid Javid, pavarësisht studimeve se ky variant shkakton sëmundje më pak të rënda sesa variantet e mëparshme të Covid-19.
Javid tha se zyrtarët po monitoronin të dhënat orë pas ore, pasi shifrat e reja kanë treguar se nivelet e infeksioneve me Covid-19 në Britaninë e Madhe kanë arritur nivele rekord me rreth 1.4 milion persona të prekur nga virusi.
Paralajmërimi erdhi pasi Agjencia e Sigurisë Shëndetësore në Britaninë e Madhe (UKHSA) vlerësoi se, një individ i prekur nga Omicron kishte rreth 31 për qind deri në 45 për qind më pak gjasa që të shkonte në dhomën e urgjencës dhe 50 për qind deri në 70 për qind më pak gjasa për t’u shtruar në spital, krahasuar me një individ të infektuar me variantin Delta.
Gjetjet janë gjerësisht në përputhje me studimet e publikuara të mërkurën nga Imperial College në Londër dhe Universiteti i Edinburgut.
Javid tha se, ndërsa konkluzionet e UKHSA ishin premtuese, rastet me Omicron po vazhdonin të rriteshin me një ritëm të jashtëzakonshëm. //a.i/












