LONDËR, 23 dhjetor /ATSH-DPA/ – Kompania AstraZeneca thotë se vaksina Vaxzevria e kompanisë rrit ndjeshëm nivelet e antitrupave ndaj variantit Omicron SARS-CoV-2 pas një doze të tretë përforcuese, sipas një studimi të kryer nga Universiteti i Oksfordit.
”Testet tek individët një muaj pas marrjes së dozës së tretë të vaksinimit përforcues neutralizuan variantin Omicron në nivele gjerësisht të ngjashme me ato që shiheshin një muaj pas dozës së dytë kundër variantit Delta”, theksoi kompania.
“Këto gjetje mbështesin përdorimin e përforcuesve të dozës së tretë si pjesë e strategjive kombëtare të vaksinave, veçanërisht për të kufizuar përhapjen e varianteve shqetësuese, duke përfshirë Omicron”, theksoi Sir John Bell, profesor i Universitetit të Oksfordit.
Kompania vuri në dukje gjithashtu se të dhënat nga një tjetër studim laboratorik mbështesin efektin e Vaxzevria kundër Omicron, tek individët e vaksinuar me dy doza Vaxzevria që ruajnë aktivitetin neutralizues ndaj Omicron./ /os/





















